AlbanianSport.com 03/12/2018 22:30
ASNN – “Topi i Artë” shkon për Luka Modriç, merr fund dominimi 10-vjeçar i Mesit dhe Ronaldo. U zhvillua të hënën në mbrëmje në Paris, ceremonia e dhënies së “Topit të Artë”, trofe për lojtarin më të mirë në botë që jepet nga revista prestigjioze franceze “France Football”, një arritje që shkoi për futbollistin kroat Luka Modriç. Kështu, për herë të parë pas 10 vjetësh, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo nuk janë fitues dhe të paktën për këtë vit nuk u diskutuan si favoritë, gjë që e vërtetojnë dhe pikët e dhëna për kandidatët.
Kështu, Modriç ishte vlerësuar me 753 pikë, dukshëm i diferencuar nga ndjekësi më i afërt, Kristiano Ronaldo, që kishte marrë 476, ndërsa i 3-ti përfundoi sulmuesi i Atletikos së Madridit dhe i Francës, Antuan Grizman, me 414 pikë. Fill pas tyre renditej Kilian Mbape me 347 pikë, dhe vetëm një vend i 5-të për Lionel Mesin që kishte grumbulluar 280 pikë. “Është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe falënderoj të gjithë trajnerët e mi, shokët e skuadrës, klubin e Realit të Madridit dhe të gjithë te përfaqësuesja kroate, por mbi të gjitha familjen time”, – ka thënë Modriçi.
“Të gjithë kemi ëndrra të fitojmë trofe të rëndësishëm dhe Topi i Artë ishte më shumë se një ëndërr, ndaj jam vërtetë i nderuar që marr këtë trofe”, – shtoi ai, duke folur gjatë marrjes së çmimit. Mbape fitoi “Topin e Artë” si lojtari më i mirë në botë për moshën deri në 21 vjeç, pra fitoi trofeun “Copa”, një trofe që jepet për herë të parë nga “France Football”. Ndërkohë, “Topin e Artë” për femrat, një tjetër risi e këtij viti nga revista franceze, u dha për lojtaren norvegjeze, 23-vjeçaren Ada Hagerberg.
Në përfundim mund të thuhet se kroati Luka Modriç ishte përjashtim këtë vit, pas një dominimi 10-vjeçar të Ronaldos dhe Mesit, që ishin dhe këtë herë kandidatë, por nuk ia dolën. Për kroatin vendosi sidomos paraqitja e tij fantastike, por edhe ajo e Kroacisë, në Botërorin e Rusisë.