AlbanianSport.com 12/04/2020 19:35
ASNN – Do të fitojë pesha e kontratave të majme televizive, apo industria masive e marketingut që qëndron prapa lojës më popullore në botë, por edhe dëshira e madhe e njerëzve që duan të rikthehen në normalitet dhe për këtë e shohin futbollin si një mundësi ideale për ta bërë këtë, apo do të triumfojë pesha e shkencëtarëve, të cilët shpesh ecnin nëpër vijën e hollës të arsyes, por edhe të pasigurisë që shpesh ndjell panik.
Në fakt, ka ndodhur kjo e fundit, pasir niveli më i lartë i Kampionatit të Futbollit në Belgjikë, që njihet ndryshe si Pro Liga, do të mbyllet me renditjen aktuale. Epidemia globale e “COVID-19” ka sjellë pasoja të rënda dhe ky veprim është parë më i arsyeshmi, edhe pasi janë këshilluar me virologun Mark Van Ranst. Profesor në Universitetin “De Leuvense”, ai ka qenë pika e kontaktit me Pro Ligën gjatë kësaj periudhe dhe arsyetimi i tij është i i thjeshtë.
“Futbolli është një nga çështjet më të rëndësishme dhe ne po bisedojmë me 10 specialistët që përcaktojnë strategjinë për të dalë nga kjo situatë, – ka dekluar Van Ranst për median vendase “Het Nieuwsblad”. – Por duhet të jemi të sinqertë: ndeshjet e futbollit dhe koncertet do te jenë ndër gjerat e fundit që do t’i lejojmë përsëri.” Ai është pyetur edhe në lidhje me mundësinë e luajtjes së ndeshjeve me dyer të mbyllura, për të cilat ai ka lënë një gjysmë dere hapur, por me kusht.
“Një finale me dyer të mbyllura do të ishte e mundur nëse kemi sigurinë absolute që tifozët nuk do të grumbullohen diku tjetër, – ka thënë belgu. – Nëse nuk ndodh, nuk luhet as ndeshja. Askush nuk mund të fajësojë klubet belge për marrjen e vendimit, që ta mbyllin sezonin tani. Nga Pro Liga kam mësuar se duhen 3-4 javë që ekipet të stërviten për të qenë gati, kur ndeshjet të rifillojnë sërish. Kështu që është joreale të përfundosh veprimtaritë aktuale.”
Van Rast është një këshilltar kyç i Federatës Belge të Futbollit, prandaj dhe ishte një nga aktorët që ndikuan në vendimin e federatës për të anuluar menjëherë sezonin aktual, vendim për të cilin u kritikua nga UEFA. Mirëpo mediat ndërkombëtare sqarojnë se tanimë është vetë UEFA që i është drejtuar virologu belg dhe në rast se dëgjohet mendimi i tij, atëherë do të kemi vendim të njëjtë si me atë në Belgjikë, edhe në kampionatet e tjera në vendet e Evropës.
Madje Van Ranst tregon se edhe UEFA po fillon ta shqyrtojë mundësinë e përfundimit të sezonit në këtë moment. “Kam përshtypjen se UEFA po fillon ta shohë që është e pamundur të luash futboll këtë sezon”. Megjithatë, vetë fakti që UEFA sakrifikoi veprimtarinë më prestigjioze të saj, “Euro 2020”-ën, për të shpëtuar sezonet e kampionateve kombëtare anembanë kontinentit të vjetër, trego se vendimi për braktisjen e sezonit nuk është kaq i thjeshtë.
Megjithatë, çështja nuk është kaq e thjeshtë, pasi, në krahun tjetër të ngushticës së La Manshit, është mësuar klubet e Premier Ligës Angleze, që mund të humbasin mbi një miliardë Euro për shkak të epidemisë së koronavirusit. Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, lojtarëve të nivelit më të lartë të Kampionatit Anglez të Futbollit u është thënë se klubet e tyre rrezikojnë të humbasin plot 1.29 miliardë Euro (1.137 miliardë stërlina angleze) për shkak të pezullimit të sezonit pas përhapjes së kësaj epidemie.
Klubet e elitës angleze do të kenë të ardhura dukshëm më të vogla nga transmetimi televiziv dhe nga sponsorizimet, pati raportuar e përditshmja angleze “The Telegraph”. Lojtarëve u është prezantuar kjo shifër në përpjekje për t’i bindur ata që të heqin dorë nga 30 % e pagës, për të ndihmuar klubet që të funksionojnë. Lojtarëve u është thënë, ndër të tjera, se 200 milionë stërlina (227 milionë Euro) do të humben vetëm nga të ardhurat në ditët e ndeshjeve.
Ndërsa 175 milionë stërlina (198 milionë Euro) do të humben nga marrëveshjet e sponsorizimit, që duhet të rikthehen. Dhe këto janë vetëm shifra të përafërta, pasi marrin parasysh faktin që kampionati do të rifillojë dhe jo që ai do të braktiset fare, me fituesin të shpallur në tavolinë, ose, akoma më keq, pa kurorëzuar asnjë skuadër si kampione të këtij sezoni.