Gjergj Vyshka 17.04.2015 07:55
Dje kanë filluar të hidhen hapat e parë drejt vendimit më të rëndësishëm për Shqipërinë e Futbollit, ndërsa në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të vendoset fati i ndeshjes së 14 tetorit, që u pezullua për shkak të incidenteve. Dita e Gjykimit ka nisur me palën serbe për t’i lënë vendin më pas Shqipërisë këtë të premte që të paraqesë argumentet e saj.
Që në orët e para të mëngjesit serbët, të përfaqësuar nga një studio avokatie zvicerane, kanë kërkuar të mbrojnë fitoren 3-0 në tavolinë, por njëkohësisht synojnë edhe heqjen e tre pikëve si penalitet që morën nga Komisioni i Disiplinës dhe i Apelit në UEFA. Pala serbe i ka mëshuar fort te provokimi politik nëpërmjet dronit, teksa kanë përgatitur dhe një dëshmi të një ish-gjyqtari izraelit, i cili ka mbështetur akuzën e tyre.
Qëllimi i palës serbe është që nëpërmjet kësaj dëshmie të “dredhojë” pushtimin e fushës nga tifozët e saj dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësueses kuqezi duke dashur të anashkalojë dhe faktin se Atkinson e ndërpreu ndeshjen për shkak të akteve vandale nga ana e tifozerisë vendëse dhe jo për dronin e hyrë në fushë. Pas dëgjimit të palës serbe, të premten do të jetë dhe radha e shqiptarëve.
Shqipëria do të përfaqësohet nga ekipi i avokatëve i kryesuar nga Artan Hajdari. Seanca dëgjimore e Shqipërisë do të nisë që në orën 8 të mëngjesit ndërkohë që për vendimin nuk dihet ende sesa duhet pritur për marrjen e vendimit.