AlbanianSport.com 17.10.2014 09:50
ASNN – Mesfushori serb kërkon golin, ndërsa në tre ndeshje është ndalur nga shtylla horizontale e portës së kundërshtarit: “Unë së bashku me kapitenin Gruda do t’i japim një tjetër pamjes skuadrës ndaj Kamzës”. Futbollisti i Besëlidhjes, mesfushori serb Xhorxheviç, pas një dëmtimit të gjatë duket se është drejt rikuperimit për të qenë më pas i gatshëm për ndeshjen e së shtunës së ardhshme ndaj Kamzës në Lezhë. Edhe duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, Xhorxheviç ka qenë në një stërvitje të fortë individuale dhe tashmë, edhe duke qenë drejt rikuperimit të plotë, duket se do të jetë i gatshëm për ekipin.
“Sot që do të fillojë stërvitja, – tregon Xhorxheviç, – unë do të futem me grupin, sepse edhe këmbën e dëmtuar e kam më mirë. Forma ime fizike është në rritje dhe ky është një tregues i mirë që unë mund ta ndihmojë skuadrën dhe në ndeshjen ndaj Kamzës. Në tre ndeshjet e fundit unë kam qenë i pafat në shënimin e golit, ndërsa për këtë janë bërë pengesë shtyllat horizontale të portës kundërshtare. Unë i kam goditur tri herë ato, ndërsa topi nuk më është bindur për të hyrë në rrjetë. Mendoj se në ndeshjen me Kamzën unë do të shënoj, aq më tepër që luaj dhe përpara publikut lezhjan që më do dhe më respekton aq shumë.”
“Për më tepër çdo ditë më rrethojnë “Dragonjtë e Veriut” (siç quhen ultrasit e Besëlidhjes), të cilët interesohen për mua, – ka vijuar serbi i lezhjanëve. – Ata më stimulojnë aq shumë, sa që jam i detyruar që të shënojë në portën kundërshtare në ndeshjen e radhës. Unë duhet të shënoj për t’i gëzuar tifozët e Besëlidhjes dhe më pas gëzimin e suksesit do ta ndajmë së bashku. Deri tani jam i kënaqur me rezultatet që kemi arritur, por duhet të luftojmë që të fitojmë ndeshjet dhe të ruajmë kryesimin në Grupin e Veriut. Edhe kapiteni Gruda do të fillojë stërvitjen sot dhe ky është një lajm i mirë, sepse çdo skuadër ka nevojë për një lider.”
“Skuadra jonë është rritur shumë dhe në nivelin teknik nuk është ajo e para dy viteve. Them me bindje se jemi një skuadër për në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar futbollisti i Besëlidhjes, mesfushori serb, Xhorxheviç. Ndërkohë tifozeria lezhjane është duke u përgatitur për të krijuar një atmosferë shumë të bukur në ndeshjen me Kamzën. Të gjithë janë pajisur me bluza, shalle dhe flamujt verdhekuq të Besëlidhjes. Ata do ta shoqërojnë Besëlidhjen gjatë gjithë kampionatit.