AlbanianSport.com 14.09.2016 16:45
ASNN – Besëlidhja, nën drejtimin e trajnerit Stavri Nica, po stërvitet intensivisht jo vetëm për të ruajtur kondicionin fizik që tashmë kanë krijuar për mbi shtatë javë fazë përgatitore, por edhe për të përmirësuar mangësitë që po dalin gjatë rrugës. Gjatë një bisede për mediat sportive të ditës, mesfushori Orjan Xhemalaj flet disi i rezervuar për rezultatet e miqësoreve të deritanishme.
Por ka dhe nota optimiste për të ardhmen, ku ndër të tjera tha: “Padyshim që Besëlidhja edhe për sezonin e ri do të luftojë deri në fund për t’u rikthyer aty ku ishte sezone më parë. Por deri atje është një rrugë shumë e gjatë dhe me të papritura të panumërta. Gjatë miqësoreve të fundit në fushë të huaj, skuadra nuk ishte në ditët e saja të mira, por, gjatë ditëve në vijim, besoj se gjithçka do të shkojë sipas parashikimit të trajnerit.”
“Për sezonin e ri, padyshim që lufta jonë do të jetë e ashpër dhe pa kompromis ndaj të gjitha skuadrave kundërshtare, – ka vijuar futbollisti i lezhjanëve. – Kuptohet kjo për të arritur synimet tona dhe shpresoj se do ia dalim. Duke ju rikthyer formës momentale, si fillim ende nuk jam optimist për këtë objektiv, pasi deri tani skuadra, ndonëse është stërvitur intensivisht, madje është grumbulluar edhe jashtë vendit, në miqësoret në fushë të huaj nuk po e jep pritshmërinë.”
“Më shumë po çalon reparti sulmues. Nuk kemi arritur që të shënojmë gola. Pjesa e mbetur e fazës përgatitore dhe eksperienca gjatë sfidave zyrtare shpresoj që do të jenë të frytshme dhe se skuadra do të arrijë shkallën e pritshmërisë”, – ka përfunduar mesfushori i Besëlidhjes, Orjan Xhemalaj.