Gjergj Vyshka 21.01.2015 19:05
Besëlidhja-Tërbuni, e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë së Parë, më 7 shkurt është kryesfida e grupit të Veriut. Për rrjedhojë “Dragojtë e Veriut”, që janë ultrasit e Besëlidhjes, janë duke vazhduar përgatitjen e tyre për bërjen gati të flamujve dhe banerave për tifozët, ndër me datë 1 shkurt priten të jenë në duart e tyre.
Dhe për këtë ata kanë falënderuar kryebashkiakun e Lezhës, Viktor Tusha, i cili ka financuar dhe ka qenë transparent me gjithë tifozët e Besëlidhjes duke iu përgjigjur në çdo moment kërkesave të tyre. Sepse të gjithë kanë një qëllim që është ngjitja e Besëlidhjes në Kategorinë Superiore.
Ndërkohë nisur dhe nga pritja në Pukë prej “Shqiponjave të Veriut”, lezhjanët e kanë pasur dhe një ftesë miqësore për ta që është: “Ne nuk kemi asgjë personale me tifozerinë e Tërbunit dhe aq më tepër me “Shqiponjat e Veriut”, – kanë thënë ata. – E vetmja luftë do të jetë brenda fushës sportive.”
“Duke iu falënderuar për pritjen në Pukë ne ju ftojmë të jeni sa më të shumtë në numër, pasi është ndeshja më e rëndësishme dhe më e fortë në Kategorinë e Parë, ku pa dyshim të fitojë ai që e meriton me të vërtetë Superligën. Respekte mbi të gjitha”, – ka përfunduar grupimi i tifozëve lezhjanë, “Dragonjtë e Veriut”.