AlbanianSport.com 26.09.2014 17:55
ASNN – Tani që gjithçka është gati për fillimin e kampionatit edhe tifozët e Besëlidhjes janë më të qetë shpirtërisht. Ata janë duke pritur me padurim ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Burrelit në Lezhë, ndërsa janë të kënaqur me përgatitjet që skuadra ka bërë deri më tani nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi.
Jo vetëm kaq, por janë të kënaqur me punën e presidentit Ndoka, i cili ka bërë të mundur rregullimin e stadiumit, si dhe krijimin e një skuadre të denjë për t’u ngjitur në Superiore. Grupi i lojtarëve të ardhur në tregun e lëvizjeve në verë, por dhe futbollistët e mbetur nga sezoni i kaluar, të cilët kontribuan në ngjitjen e Besëlidhjes në Kategorinë e Parë, kanë formuar atë skuadër të denjë për sezonin 2014-2015.
Këtë duan të veçojnë edhe tifozët shqiptar që punojnë e jetojnë në Itali. Ata kanë ardhur dhe duan të shikojnë fillimin e kampionatit dhe skuadrën e tyre të zemrës. Njëri prej tyre është dhe Valentin Jaku, i cili për gazetat sportive të ditës do të deklaronte: “Unë si djalë lezhjan e ndjej shumë sportin, sidomos futbollin. Jam tifoz i Besëlidhjes dhe dua që skuadra ime të ngjitet në nivelet e larta të futbollit shqiptar.”
Ndërkohë një tjetër qytetar që është shprehur në favor të Besëlidhjes është dhe italiani Isola Donato, i ardhur nga Firence dhe banues në Shëngjin. Ai e ka ndjekur disa herë Besëlidhjen, jo vetëm në ndeshje, por dhe në stërvitje, ndërsa për gazetat sportive të ditës, ka deklaruar: “Pavarësisht se jam nga Firence dhe sot banoj në Shëngjin, unë e kam parë disa herë Besëlidhjen gjatë përgatitjeve dhe më ka pëlqyer. Dua që ajo të fitojë dhe të kalojë në Kategorinë Superiore.”