AlbanianSport.com 12.10.2014 22:25
ASNN – Dje i gjithë opinioni sportdashës i Shqipërisë ka qenë i përqendruar tek ndeshja me Danimarkën. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe tifozët lezhjanë, të cilët për një ditë e kanë harruar Besëlidhjen, ndërsa kanë shpresuar në një fitore të kombëtares me Danimarkën. Një grup tifozësh lezhjan, me në krye Flejvi Pervathin, kanë siguruar biletat dhe kanë qenë të pranishëm në “Elbasan Arena” në mbështetje të kuqezinjve.
Ata të veshur me fanellat e kombëtares, por dhe të entuziazmuar, kanë bërë foto para nisjes për në Elbasan. Ata kanë deklaruar se besimi i tyre ka qenë i patundur për një fitore të kombëtares ndaj Danimarkës. Madje kanë premtuar se do të festojnë dhe pas ndeshjes, ndërsa kanë pohuar: Do të festojmë të gjithë së bashku këtë sukses të kombëtares sonë.
Një fitore do t’i gëzonte të gjithë, sidomos Përvathin, i cili dje ka pasur dy gëzime në një ditë, sepse ka festuar dhe ditëlindjen. Dhe jo vetëm tifozët kanë shpresuar për një fitore ndaj Danimarkës, por dhe një gazetar si Jak Rrozhani ka deklaruar për gazetat sportive të se suksesi nuk mund të kishte kufij. “Ishte kënaqësi e madhe që ndeshja u luajt në Elbasan”, – ka theksuar ai.
“Është bukur që u luajt në një stadium kaq modern, që do të thotë se ka pasur një përkushtim shumë të madh të Federatës Shqiptare të Futbollit, – ka vijuar ai. – Ndaj kjo ndeshje me Danimarkën ka qenë kaq interesante. Kemi besuar se do të luanim si të barabartë me Danimarkën, ndërsa do të tregonim se nuk jemi rastësisht në Evropë. Jo vetëm kaq, por askujt nuk i shkonte në mendje humbja”.