AlbanianSport.com 05.12.2014 09:20
ASNN – Besëlidhja vijon me intensitet të lartë përgatitjet e saj për ndeshjen e fundit të fazës së parë, teksa në Lezhë do të presë Mamurrasin një tjetër rivale për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Lezhjanët kanë zhvilluar dhe ndeshjen e tyre të kontrollit, ndërsa skuadra e parë, e përbërë nga formacioni i mundshëm për sfidën me Mamurrasin, ka fituar 3-0 me formacionin e dytë.
Në fakt ka qenë një ndeshje e luftuar, sepse çdokush nga pjesëtarët e formacionit të dytë ka kërkuar të zërë vendin e titullarit në ekipin e parë. Në fushë janë përdorur disa variante taktike, ka pasur spostime të lojtarëve në fushë, apo dhe këmbime rolesh.
Gjë që e bëri ndeshjen e kontrollit më luftarake dhe më aktive për formacionin lezhjan. Për fat të mirë për skuadrën e Sinan Bardhit, në prag të ndeshjes me Mamurrasin, nuk ka të dëmtuar.
Ndërsa skuadra ka një kondicion të mirë fizik, të cilin e ka ruajtur gjatë gjithë kësaj periudhe që është në kampionat. Dhe në këto kushte, duke i pasur të gjitha gjërat në rregull, skuadra është duke menduar vetëm për ndeshjen me Mamurrasin.