AlbanianSport.com 27.09.2014 14:15
ASNN – “Kemi kohë që ne jemi gati për të filluar kampionatin tonë në Kategorinë e Parë. Si gjithnjë me përgatitjet që kemi bërë i gjithë ekipi është i gatshëm për ndeshjen që do të ketë sot ndaj Burrelit në Lezhë”. Kështu do ta niste deklaratën e tij për gazetat sportive të ditës, ndihmës-trajneri i Besëlidhjes, Lani, që më tej do të vazhdonte: “Ne mezi po presim që të fillojmë kampionatin, sepse duam ta nisim me fitore këtë edicion”.
“Po na hanë këmbët dhe duam t’i shkundim ato me topin në fushën e lojës, – ka vijuar ai. – Ne luajmë para publikut tonë, para tifozëve tanë të zjarrtë, që sigurisht nuk do të mungojnë në sfidën ndaj Burrelit. I jemi borxh kësaj tifozerie, ndërsa duam t’i entuziazmojmë ato me lojën e bukur të skuadrës sonë. Ta harrojmë vitin e kaluar kur kemi luajtur një kategori më poshtë.”
“Të shpresojnë dhe të jenë të sigurt që ne do t’ia dalim mbanë të kalojmë në Superiore. Asnjëherë nuk duam të harrojmë përkushtimin që ka bërë dhe po bën presidenti ynë Gjokë Ndoka. Duam të gëzojmë dhe atë sigurisht me lojërat tona të bukura dhe me fitore. Por motivi ynë mbetet gjithnjë fitorja. Muçollari është shtuar me vajzë dhe ne i urojmë Jetë të gjatë. Sikurse e urojmë që të shënojë gol me Besëlidhjen sot ndaj Burrelit”, – ka përfunduar Lani.