AlbanianSport.com 12.11.2014 12:55
ASNN – Ish-djali i futbollistit të famshëm të Vllaznisë dhe të Kombëtares, Muhat Dibrës, Myfiti ka pranuar të flasë për gjendjen aktuale që kalon Besëlidhja, e cila është e para në grupin A të Kategorisë së Parë. Ai njihet si futbollist i Besëlidhjes, por jo vetëm kaq, edhe si gjuajtës i saktë i 11-metërshave për skuadrën lezhjane. “Unë sot jam pensionist, – nis rrëfimin e tij Dibra. – E dua futbollin, pasi rrjedh nga një familje, e cila ka lënë gjurmë në këtë sport në vend. Sidomos në atë të Shkodrës dhe të Lezhës.”
“Të flasësh sot për futbollin e Besëlidhjes natyrisht që nuk është fort e thjeshtë dhe e lehtë, – ka vijuar ai. – Është një ekip që ka lindur në vitet 1930-të, ka bërë histori dhe unë jam pjesë e kësaj historie. Më duket se nuk gaboj nëse them se Besëlidhja, me këtë grup lojtarësh që ka në dispozicion, por dhe me këtë president të pasionuar, do të jetë shpejt në elitë. Sepse rezultatet flasin vetë, ndërsa është skuadër që nuk ka gabuar ende në gjashtë javët e para të kampionatit.”
“Shoh tek Besëlidhja një portier të zotin, i cili është vigjilent, – ka theksuar Myfiti. – Ka një mbrojtje solide dhe një sulm efikas. Por nuk duhet harruar se ka edhe mesfushë cilësore, e cila është ndërlidhësja kryesore me mbrojtjen dhe me sulmin. Trajnerët Bardhi dhe Lani janë me të vërtetë punëtorë, ndërsa kanë në gjirin e tyre lojtarë të cilët zbatojnë me përpikmëri detyrat e dhëna nga stafi teknik. Ata kanë ditur të gërshetojnë mirë brezin vjetër me atë të rinj.
“Kështu, ata kanë ndërtuar një Besëlidhje, e cila e meriton të jetë në Superiore. Jo vetëm kaq, por Besëlidhja ka dhe një stol shumë të mirë me futbollistë që mezi presin të hynë në fushën e lojës. Dhe kur një skuadër ka një stol të fuqishëm atëherë të gjithë janë të sigurt në marrjen e rezultatit. Ndeshjen e radhës me Kamzën, Besëlidhja do ta fitojë me goleadë. Uroj me gjithë zemër që skuadra në fund të sezonit 2014-2015 të jetë në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar Myfit Dibra.