AlbanianSport.com 23.10.2014 18:20
ASNN – Besëlidhja, edhe pse dje ka luajtur ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, ka vijuar stërvitjen normale me pjesën e lojtarëve të formacionit për ndeshjen e kampionatit ndaj Tërbunit në Pukë. Kërkesa e tyre e vazhdueshme është për ta nxjerrë me sukses ndeshjen ndaj Tërbunit, gjë që nuk do të jetë e lehtë, aq më tepër që pukjanët renditen të dytët në Grupin e Veriut. Në fakt çdo skuadër bën llogaritë e veta dhe këtë gjë po e bën dhe Besëlidhja, e cila është duke u përgatitur për një lojë të bukur, që aq fort e dëshiron dhe publiku sportdashës i Pukës.
Ndërkohë një dinasti e madhe në Pukë është familja Gruda, por jo ai që ka ngritur peshë zemrat e pukjanëve me golat e tij, por kapiteni i Besëlidhjes, Mirsadi. Duke folur për gazetat sportive të ditës, ai do të deklaronte: “Ne vërtetë kemi arritur që t’i fitojmë tre ndeshjet e para, por ama ky është vetëm fillimi i garës. Fillimi është i mirë, por fillim mbetet fillim, ndërsa ne nuk duam të ndalemi gjatë gjithë kampionatit për të bërë të mundur më pas dhe ngjitjen në Kategorinë Superiore. Ne duam të luftojmë që në minutën e parë e deri në fishkëllimën përfundimtare të gjyqtarit për të dalë me kokën lart e me sukses të plotë nga vizita në Pukë.”
“Kemi përgjegjësinë tonë përpara publikut lezhjan, të cilët na shoqërojnë kudo që ne shkojmë, – ka vijuar Gruda. – Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur, me luftë sportive e burrërore. Në fakt çdo gjë do të varet nga forma e ekipit. Për mua nuk do të jetë ndeshje pa emocione, pasi me Tërbunin ka luajtur xhaxhai im Hazizi. Dua të nderoj emrin e tij dhe do të ishte kënaqësi e madhe nëse do të shënoj. Do të përpiqemi që të japim më të mirën dhe më të bukurën e mundshme në atë ndeshje futbolli që të bindim publikun se janë ekipe të denja për njëra-tjetrën.”