AlbanianSport.com 01.10.2014 12:15
ASNN – Synimi kryesor i Besëlidhjes është kalimi në Kategorinë Superiore. Dhe marrja e tripikëshit të parë në kampionat ndaj Burrelit i ka motivuar së tepërmi lezhjanët, të cilët e kanë kontingjentin e lojtarëve të tillë për të përballuar Kupën e Shqipërisë. Jo vetëm sepse skuadra e Sinan Bardhi ka formacionin titullar, por ka dhe stolin e rezervave, të cilët kanë dëshirë të madhe për të luajtur dhe për t’u konfirmuar si titullarë të ekipit lezhjan. Sigurisht që trajneri Bardhi ka bërë dhe planet e tij duke llogaritur që në fundjavë do të ketë dhe ndeshjen e kampionatit.
Ndaj dhe ka menduar t’i lërë hapësirë lojtarëve të stolit. Ndeshja me Teutën, e cila do të luhet sot në Lezhë, nuk do të jetë e lehtë për lezhjanët, aq më tepër që durrsakët në fundin e javës kanë fituar me kampionët e Skënderbeut. E megjithatë Besëlidhja nuk i ka frenuar objektivat e saj dhe në Kupën e Shqipërisë, atje ku kërkon të bëjë surprizën. I cituar nga gazetat sportive të ditës, sulmuesi Bledar Marashi do të deklaronte: “Në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Burrelit kemi vuajtur shumë për të shënuar”.
“Por nuk duhet harruar se Burreli kërkonte pikë në Lezhë e përpak na e mori atë, – ka vijuar ai. – Na ndihmoi fati që shënuam në kohën shtesë. Mendoj se në Kupën e Shqipërisë ndaj Teutës do të luajmë më hapur, më lirshëm, pasi rruga është më e shkurtër. Do të luftojmë si të barabartë ndaj Teutës dhe do të kërkojmë të shënojmë në fushën tonë. Pse jo ta fitojmë ndeshjen. Do ta korrigjojmë shënjestrën duke e goditur portën e kundërshtarit. Besoj se do ta kënaqim publikun tonë sportdashës.”