Gjergj Vyshka 23.01.2015 15:05
Lezhjanët e kanë inatin me të gjithë, por nuk heqin dorë nga mbështetja e ekipit. Akuza e tifozëve: “Tërbuni paguan kundër nesh, por ne do t’i mbështesim lojtarët”. Besëlidhja ka mbetur pa trajner pas largimit të Ridvan Kullit tre ditë përpara ndeshjes me Kastriotin. Në fakt tifozët lezhjanë e kanë quajtur këtë vendim të presidentit Gjoka një turp, ashtu sikurse kanë konsideruar turp dhe humbjen me Kastriotin. “Është e pabesueshme që të largohet një trajner që në tetë ndeshje ka shtatë fitore dhe një barazim dhe kjo ndodh vetëm Besëlidhjen”, – kanë deklaruar ata.
“Mirëpo ajo që na vjen keq është Tërbuni po paguan që të luajnë kundër nesh. Kështu ka ndodhur dhe në Krujë ku ka qenë i pranishëm trajneri Plori, ndërsa shënuesi i golit të krutanëve Tali është përqafuar me të. Mirëpo ky është futbolli në Shqipëri dhe ne nuk e kemi lënë dhe nuk do ta lëmë kurrë skuadrën vetëm”, – kanë thënë ultrasit lezhjan “Dragojtë e Veriut – Ultrasit e Besëlidhjes”. Pavarësisht rezultatit negativ, tifo-grupi “Ultras Besëlidhja” kërkon të bëjë një falënderim të veçantë për të gjithë futbollistët e ekipit, që po luftojnë me gjithë shpirt për të arritur objektivin.
“Distancohemi nga çdo sharje, ofendim, fishkëllimë, – kanë theksuar ata. – Ne do ju mbështesim deri në fund, edhe në raste të vështira, siç kemi bërë deri më sot, nuk na ndalon dot askush. Respekte Bejte, Shytani, Jakupi, Usumovic, Semina, Manuka, Dibra, Hoxha, Xhorxheviç, Erkoçeviç, Bajiç, Malo, Muçollari, Gjokeja, Marashi, Gruda, Pergjini, Turkaj, Kulli. Respekt të gjithëve, ne jemi me ju”, – kanë përfunduar tifozët lezhjanë.
Ndërkohë nuk duhet harruar që në një farë mënyre, Ada e Velipojës, edhe duke pasur portierin e lezhjanëve, Demi, të paktën në pjesën e parë me Tërbunin është dukur që po luan me Besëlidhjen. Dhe prania e trajnerit të Tërbunit në Krujë, Elvis Plori, është se Tërbuni i tij do të luajë të shtunën e ardhshme ndaj Kastriotit. Përtej kësaj ajo që nuk e bën garën të bukur është fakti se Ada-Tërbuni u luajt të dielën. Megjithatë fansat lezhjan, të cilët e kanë inatin me të gjithë, kanë vendosur të mos e lënë vetëm Besëlidhjen, ndërsa janë të bindur se skuadra e zemrës së tyre do të jetë në Superiore.