AlbanianSport.com 01.11.2014 13:25
ASNN – Deri tani çdo gjë po shkon sipas parashikimeve tek skuadra lezhjane, e cila është në përgatitje e sipër për sfidën me Kastriotin, atje ku kërkon dhe ta fitojë këtë ndeshje. Skuadra është përgatitur intensivisht pas ndeshjes me Tërbunin, që e barazoi në Pukë, 1-1, e ka përqendruar të gjithë vëmendjen e saj në kalimin me sukses të sfidës me krutanët, që do ta luajë në Lezhë. Pavarësisht pozicionin që ka aktualisht Kastrioti në renditje, ajo ka një emër të mirë në futbollin shqiptar dhe si e tillë është vlerësuar maksimalisht nga lezhjanët.
Besëlidhja kërkon tre pikët në fushën e saj, por një gjë të tillë e do dhe Kastrioti, i cili si i tillë nuk do të kërkojë të qëndrojë në vendet e fundit në renditje. Tek Besëlidhja ka një motiv që fitorja të arrihet përmes një loje spektakolare dhe sulmuese, e cila duhet të kënaqi publikun e zjarrtë lezhjan. Skuadra edhe duke luajtur përballë publikut lezhjan nuk e vë në dyshim fitoren. Madje, grupimi i tifozëve, “Dragojtë e Veriut”, janë duke menduar për ndeshjen e javës së ardhshme në Kavajë, atje ku kërkojnë të njëjtin rezultat si sot ndaj Kastriotit.
Pra fitoren e ndeshjes. Grupi i tifozëve e ka marrë seriozisht mbështetjen e Besëlidhjes si brenda në Lezhë, ashtu dhe jashtë saj. Tifozët janë paraqitur te Bashkia, atje ku kanë kërkuar që tani autobuzët për në Kavajë. “Jo vetëm kaq, – ka deklaruar Aurel Loci, – por ne do t’ia kërkojmë një gjë të tillë dhe presidentit Ndoka për të treguar lashtësinë dhe mbështetjen e qytetit tonë ndaj Besëlidhjes dhe në Kavajë”. Ndërkohë të gjithë besojnë tek ngjitja në Superiore dhe për më tepër fitorja ndaj Kastriotit në Lezhë.