AlbanianSport.com 22.10.2014 21:10
ASNN – “Nuk dehemi nga sukseset, duam të ruajmë vendin e parë në renditje”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për shtypin sportiv të ditës, ndihmëstrajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani. “Ne fituam ndeshjen e fundit me Veleçikun kryesues, kaluam në vendin e parë në grupin A dhe çfarë është më kryesorja nuk kemi pësuar asnjë gol në tre javët e para”, – ka deklaruar ai. – Është një nisje e mirë e këtij kampionati, por kurrsesi nuk do të dehemi nga këto suksese, sepse kampionati është i gjatë.”
“Aq më tepër që euforia është një sëmundje e keqe në futboll, – ka vijuar ndihmësi i Sinan Bardhit. – Sigurisht që gjatë gjithë javës do të vazhdojmë përgatitjet për ndeshjen me Tërbunin sipas programit. Jemi të kënaqur deri më tani, sepse të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë fizike. Loja me Veleçikun ishte e mirë, sepse gjatë gjithë ndeshjes treguam epërsi. Luajtëm presingun, ndërsa kemi gjuajtur mbi 10 goditje këndi. Prej tyre erdhën dy nga pesë golat që kemi shënuar në portën koplikase.”
“Loja jonë ishte bindëse, ndërsa repartet funksionuan mirë me njëri-tjetrin. Por, ndeshja në fushë të huaj me Tërbunin do të jetë tjetër gjë. Do të bëjmë një lojë korrekte dhe rezultative, sepse duam që edhe pas kësaj ndeshje të ruajmë vendin e parë. Duam që tifozët tanë të jenë shembull dhe ta mbështesin Besëlidhjen në mënyrë dinjitoze”, – ka përfunduar ndihmëstrajneri i Besëlidhjes, Gledis Lani