AlbanianSport.com 09.09.2016 12:30
ASNN – Nën drejtimin e trajnerit durrsak Stavri Nica, Besëlidhja po stërvitet intensivisht në kuadër të fazës përgatitore. Të gjithë futbollistët janë të përkushtuar maksimalisht në seancat stërvitore pasi duan që të japin maksimumin e mundshëm për t’u bërë pjesë e formacionit bazë. Trajneri Stavri Nica është i vendosur që të formatojë një Besëlidhje të fortë, agresive, që të jetë e aftë të përballojë çdo kundërshtar që do të ndeshet gjatë sezonit futbollistik.
Pasi ka një objektiv që duhet realizuar patjetër. Mesfushori organizator Samet Hepaj, gjatë një bisede për shtypin e shkuar sportiv të ditës, shprehet shkurtimisht për mundësitë që ka Besëlidhja për të kap objektivat. “Unë kam nisur sezonin e dytë me fanellën e Besëlidhjes dhe për këtë jam i kënaqur, ndonëse gjatë merkatos verore kisha disa oferta me leverdi nga skuadra të Kategorisë Superiore”, – ka zbuluar futbollisti i skuadrës lezhjane.
“Tani jemi në mbyllje të fazës përgatitore dhe skuadra po shkon drejt formatimit, ku trajneri po punon intensivisht dhe është i prerë në vendimet e tij, – ka vijuar mesfushori. – Ndaj shpresoj shumë në punën e tij për të arrit objektivat. Të gjithë futbollistët janë të impenjuar maksimalisht për të marrë atë që ju shërben realisht gjatë sezonit, pasi janë të ndërgjegjshëm për objektivin final, që është ngjitja në Superiore. Rruga drejt objektivit është shumë e gjatë, e vështirë.”
“Por besoj se do të jetë shumë e bukur, plot surpriza të këndshme, që do t’i argëtojë me të vërtetë tifozët lezhjanë. Sepse ata kanë mbetur të zhgënyer nga skuadra e tyre këto vitet e fundit. Puna e trajnerit, shpirti i garës tek futbollistët dhe mbështetja nga ana e tifozerisë më bindin që Besëlidhjen do ta shkëpusin nga niveli inferior dhe do ta ngjisi më lart”, – ka përfunduar futbollisti i Besëlidhjes, Samet Hepaj.