AlbanianSport.com 05.02.2016 07:55
ASNN – Të martën Besëlidhja bëri goditjen e radhës, ndoshta të fundit në merkaton e janarit, ndërsa ka afruar sulmuesin shkodran Elis Kabuni, i cili ka firmosur kontratë njëvjeçare me klubin lezhjan.
Elis Kabuni është formuar si futbollist në Akademinë “Vllaznia” dhe më pas ka kaluar nga grupmoshat tek të rriturit. Nga Vllaznia ka shkuar në Pukë tek Tërbuni dhe nga andej është rikthyer tek Vllaznia për t’u huazuar më pas tek Ada e Velipojës.
Në merkaton e dimrit, klubi i Besëlidhjes ka afruar 6 futbollistë për të rifreskuar formacionin e saj, ndërsa pretendon ngjitjen në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Kurrë më shumë se këtë sezon nuk i është afruar Besëlidhja Superiores, pasi tashmë kryeson grupin e veriut, kjo pas penalizimit me zbritjen e 3 pikëve të Kastriotit. Dje pasdite Besëlidhja zhvilloi ndeshjen e zakonshme të kontrollit për llogari të vizitës mamurrzake, që është edhe debutimi zyrtar i Samuel Nikajt në stolin lezhjane.