AlbanianSport.com 11.10.2016 19:05
ASNN – Në kuadër të javës së 3-të të Kategorisë së Parë, lezhjanët do të ndeshen në fushë të huaj me Erzenin. Shorti i Kupës së Shqipërisë bëri që për dy javë Besëlidhja të ndeshet tre herë më Erzenin. Qendërmbrojtësi Kledi Dibra, që është edhe autori i golit të parë ndaj Erzenit të mërkurën e kaluar, gjatë një bisede për “Sport Ekspres” nuk e fsheh shqetësimin e tij për paraqitjen e deritanishme të skuadrës. Por mendon se kjo është një gjendje e përkohshme që do të kalojë që javën e ardhshme në Shijak.
“Unë e njoh shumë mirë Besëlidhjen, pasi kam nis sezonin e 6-të me fanellën e saj, – ka thënë ai. – Ndaj jam bërë edhe tifoz i saj, çka jam shumë i shqetësuar për paraqitjen e saj momentale. Ndonëse në ndeshjen hapëse në Kavajë fituam, po ashtu edhe në ndeshjen e parë për kupë ndaj Erzenit fituam, pra dy fitore radhazi në fushë të huaj. Por barazimi pa gola të dielën në shtëpi ndaj Tërbunit dhe të mërkurën, po në shtëpi ndaj Erzenit, 2-2, na bën që të mendohemi seriozisht për javët në vijim.”
“Besëlidhja si një ndër skuadrat kryesore që pretendojnë Superioren duhet që të jetë shumë agresive dhe e pa thyeshme përballë të gjitha skuadrave. Duke njohur filozofinë e skuadrës dhe produktin që e përbën, kjo gjendje jo e stabilizuar është e përkohshme dhe se përmirësimi do të nisë që të mërkurën e ardhshme në Shijak ndaj Erzenit. Sepse besoj se do ta fitojmë për të treguar se jemi skuadra që i përkasim Superiores”, – ka përfunduar mbrojtësi shkodran, Kledi Dibra.