AlbanianSport.com 28.10.2014 14:20
ASNN – Besëlidhja e ka nisur javën me një analizë të shkurtër në lidhje me ndeshjen që ka luajtur të shtunën në Pukë ndaj Tërbunit vendës, të cilën e ka barazuar 1-1. Tashmë ato janë gati për ndeshjen me Kastriotin, por drejtuesit kanë kërkuar që lojtarët të mos e ulin ritmin për asnjë çast. Pavarësisht se Kastrioti është në vendet e fundit, lezhjanëve u është kërkuar më tepër vlerësim.
Është folur në analizë për lojtarët, ndërsa u është kërkuar të jenë më luftarak në fushë dhe të sulmojnë më tepër, sepse në fushë të huaj duhen kapur të gjitha pikët në mënyrë që Besëlidhja të jetë në Superiore sezonin e ardhshëm. Lezhjanët kanë falënderuar dhe edhe grupimin e tifozëve, “Dragonjtë e Veriut” për mbështetjen që i kanë dhënë dhe i japin skuadrës.
Ndërkohë, për ndeshjen me Kastriotin për gazetat sportive të ditës ka folur ish-lojtari i Besëlidhjes, Vesel Sokoli: “Ekipi ynë është në rrugë të mbarë dhe ka lënë vetëm një pikë në Pukë. Deri më tani ka fituar tri ndeshjet e para. Mendoj se loja e Besëlidhjes është duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. Lojtarët që ka afruar presidenti Gjokë Ndoka më duken me shumë vlerë dhe shoh një Besëlidhje për në Superiore sezonin e ardhshëm.”
“Ne do të fitojmë me Kastriotin të shtunën e ardhshme, ndërsa më pas do të mendojmë për ndeshjen me Besën, një tjetër skuadër e traditave në futbollin shqiptar. Duhet të mendojmë mirë, sepse ndeshjet sa vijnë e vështirësohen”, – ka përfunduar ish-lojtari i Besëlidhjes, Vesel Sokoli.