AlbanianSport.com 03.10.2014 20:25
ASNN – Pas humbjes në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë me Teutën, atje ku Besëlidhja është mundur në fushën e vet 2-0, lezhjanët kanë nisur të mendojnë për kampionatin. Aq më tepër që kanë një ndeshje të vështirë jashtë, teksa do të përballen me Adën në fushën e kësaj të fundit, me shumë gjasa në Velipojë. Duhet pranuar se në ndeshjen e së mërkurës, Besëlidhja ka pësuar dy gola për tre minuta e më pas gjithçka ka folur për Teutën, e cila pasi siguroi rezultatin ka rrezikuar dhe disa herë të tjera në portën e lezhjanëve.
Kjo nuk do të thotë që Besëlidhja nuk luajti futboll përballë durrsakëve, apo se ishte inferior ndaj kundërshtarit. Përkundrazi lezhjanët gabuan në pikën e tyre më të fortë që është mbrojtja, një repart i cili disa herë është vlerësuar maksimalisht. Edhe vija e sulmit nuk ka qenë në ditën e saj më të mirë, ndërsa futbollistët e këtij reparti janë nxituar disa herë përpara portës kundërshtare. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kreu i pankinës së Besëlidhjes, Sinan Bardhi do të pranonte humbjen, duke thënë: “Teuta e meritoi fitoren”.
“Është një ekip shumë më i mirë se sa i joni, aq më shumë që është në Kategorinë Superiore, – ka vijuar ai. – Madje ka në krye dhe një trajner të zotin si Hasan Lika. Na ka goditur dy herë brenda tre minuta dhe në disavantazhin 0-2 ishte e pamundur të kthehej rezultati. Ne u përpoqëm të luanim një futboll cilësor, por kjo ndeshjet duhet të na bëhet mësim, ndërsa duhet të nxjerrim detyrat për ndeshjet e ardhshme në kampionat. Duhet të vëmë në dukje të metat, në mënyrë që ato të mos na përsëriten më.”
“Ne nuk e kemi nënvlerësuar Kupën e Shqipërisë, por ndeshjet me Teutën do të na vlejnë për t’u rritur cilësisht, sepse përballjet e forta me ekipet e Superiores na rrisin më shumë. Ne tani mendojmë për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Adës. E vlerësojmë kundërshtarin dhe me patjetër duhet të marrim fitoren. Do të ecim me hapa të sigurt. Do të gabojmë sa më pak dhe detyrimi ynë është ngjitja në Superiore”, – ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi.