AlbanianSport.com 07.11.2014 14:20
ASNN – U ndje mjaft në ndeshjen e humbur 1-3 me Ilirinë në Fushë-Krujë, mungesa e mesfushorit me tiparë “shkatërruese”, fierakut Ledjon Muçaj. Pasi ka shlyer skualifikimin prej tre kartonëve të verdhë, Muçaj, që luan sezonin e dytë në radhët e Besës, ka ditur ta evidentojë mjaft mirë veten në kushtet e konkurrencës shumë të madhe që kishte sezonin e kaluar për një vend në formacion si titullar.
Ai do të jetë një garanci më shumë para repartit të prapvijës verdhezi. “E kemi të qartë se çfarë kërkon një sfidë kaq e rëndësishme dhe e vështirë e kësaj fundjave me lezhjanët, – theksoi Muçaj. – Do të jemi të gjithë me të njëjtën kërkesë kolektive për të luajtur me sa më pak gabime.”
“Sigurisht do të kemi punë me ekipin që kryeson, po për ne ky fakt na shërben si një motiv më shumë për të luajtur në fushë me të gjitha energjitë tona e dhënë maksimumin në sigurimin e fitores së parë. Një që sportdashësit kavajas mezi e presin”, – ka përfunduar futbollisti i Besës, Ledjon Muçaj.