AlbanianSport.com 04/01/2018 19:35
ASNN – Besa ka fituar 1-0 në shtëpi të dielën ndaj Lushnjës, duke marrë sërish kreun e renditjes së grupit B të Kategorisë së Parë. Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Besa” të Kavajës dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos nga në favor të vendasve me një gol në minutat e fundit. Besës i ka mjaftuar një gol i vetëm për të mposhtur të dielën Lushnjën, në ndeshjen e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Takimi i luajtur në Stadiumin “Besa” të Kavajës ka nisur me një lojë të kujdesshme të të dyja skuadrave, ndërsa çerekora e parë do të flasë në fakt më mirë për lushnjarët, që e kanë synuar në dy raste portën e gardianit të Besës, Miraka, por pa e gjetur rrugën e rrjetës. Kavajasit do ta marrin veten dalëngandalë dhe do ta zhvendosin lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe Cara jep i pari sinjalin, duke rrezikuar portën e Bejtes në minutën e 19-të.
Më pas, gjithçka do të ketë për kryefjalë sulmuesin e Besës nigerian, Onuh, i cili do të jetë protagonist i disa rasteve të ndërtuara nga skuadra, por të shpërdoruara prej tij, kryesisht për pasaktësi në finalizim. Me një përpjekje të fundit të kavajasve, por që neutralizohet nga mbrotja mike, dhe me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të karakterizohen nga një lojë e hapur, me të dyja skuadrat në kërkim të golit që, me shumë gjasë, do të vuloste fatin e ndeshjes.
Dhe ky gol ka ardhur pikërisht 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, kur Tedi Cara ka krijuar hapësirë për veten në zonë dhe ka goditur zgjuarsisht me kokë, duke përshëndetur rrjetën e portës lushnjare dhe duke e kaluar Besën në epërsi. Goli ka ardhur në momentin më të përshtatshëm për vendasit e më të papërshtatshëm për miqtë, pasi Besa fiton 1-0 dhe merr kreun e renditjes së grupit B të Kategorisë së Parë, me 17 pikë.