AlbanianSport.com 10.01.2016 15:20
ASNN – Duket se po kthehet në një rebus të vërtetë çështja e transferimit të futbollistit kosovar të Skënderbeut, Bernard Berisha. Ndërkohë që klubi korçar, vetë lojtari dhe menaxheri i tij kishin bërë fakt të kryer transferimin te klubi i Anzhit të Mahaçkallasë, gjasat janë që marrëveshja me rusët të prishet. Kjo sepse në orët e fundit ka dalë në skenë një interesim i Udinezes.
Mediat italiane zbuluan dje se klubi i Serisë A po këmbëngul për të blerë mesfushorin e Skënderbeut. “Duke pritur ardhjen e Valon Behramit, presidenti i Udinezes po përgatit edhe blerjen e Bernard Berishës nga Skënderbeu”, shkruante dje seksioni “sportmediaset.it”, i faqes zyrtare në Internet të gjigandit mediatik italian, “Mediaset”, që zotërohet nga Berluskoni.
Më të besueshëm bëhen zërat për një transferim të Berishës tek Udineze kur kontakton presidentin Ardjan Takaj. Ishte ky i fundit që pak ditë më parë zyrtarizoi transferimin e Berishës në Rusi, por mbrëmë, i kontaktuar nga e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, i pyetur për Berishën, pohoi se se për Berishën kemi një ofertë zyrtare nga Anzhi”.
“Mirëpo, e vërteta është se transferimi nuk është mbyllur ende, – ka vijuar ai. – Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se jemi në dijeni për interesimin që klubi i Udinezes ka për Berishën.” Nuk përjashtohet mundësia që e gjithë kjo të jetë një skemë për të ushtruar presion ndaj klubit rus, me qëllim rritjen e çmimit të futbollistit kosovar dhe përfitimin maksimal të Skënderbeut.