AlbanianSport.com 28/05/2018 22:25
ASNN – Portieri i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të mbajtur sot në Zyrih, krahas mbrojtësit Elseid Hysaj dhe trajnerit Kristian Panuçi. Ai ka folur për ndeshjen me Kosovën duke vënë theksin të fitorja.
“Ndeshjen e kaluar donim të bënim festë sepse vinim nga kualifikimi, – ka deklaruar ai. – Tani jemi në rrethana të tjera. Po përgatitemi për Evropianin dhe duam ta shfrytëzojmë si mundësi të mirë përgatitjeje. Prandaj, kërkojmë fitore.”
Gardiani i portës kuqezi do të jetë dhe kapiteni Kombëtares në këto ndeshje. Portieri i Atalantës në Seria A mendon se atmosfera në përfaqësuese është nga më të mirat. Të gjithë vijmë me dashuri këtu, për të kontribuar”, – ka thënë Berisha .
“Edhe pse është fundi i kampionatit, ne të gjithë kemi një ndjenjë të mirë kur vijmë këtu, – ka vijuar ai. – Secili do të shfrytëzojë mundësinë e tij. Shpresoj të paraqitemi mirë këto dy ndeshje.”
Portieri ka folur gjithashtu edhe “rivalin” kuqezi, Thomas Strakoshën. “Flas shpesh me Tomin, – ka thënë Berisha. – Nuk e pashë ndeshjen ndaj Interit sepse isha në udhëtim por pashë se tek golat nuk kishte afaj.”
“Në futboll ndodh të bëhen gabime, humbja e një ndeshjeje nuk është fundi i botës” – ka përfunduar portieri i Kombëtares, Etrit Berisha, duke folur nga Zyrihu, ku, të martën në mbrëmje, Shqipëria do të përballet në një miqësore me Kosovën.