Albaniansport.net 18.01.2016 15:35
ASNN – Viti 2016 ka nisur me ndryshime tek klubi shumësportësh “Tomori”, i cili i është nënshtruar një reforme të pritshme dhe rrënjësore. Sapo kanë ardhur drejtuesit e rinj të Bashkisë së Beratit, Drejtoria e Sportit e pushtetit lokal menjëherë ka bërë këto lëvizje, ndërsa kështu ka kërkuar të imponohet me politikat e saj në krye të klubit shumësportësh “Tomori”.
Që do të thotë se filozofinë e menaxhimit të tyre ta zbatojnë nëpërmjet metodave të reja edhe në shumësportëshin beratas. Nëpërmjet një vendimi të marrë nga kryebashkiaku Petrit Sinaj, është shkarkuar shefi i klubit shumësportësh “Tomori”, Alfred Memaj, i cili ishte në krye të këtij klubi prej katër vjetësh.
Në vend të tij ka ardhur Alban Hysi, që edhe pse nuk ka një karrierë të pasur në sport përsëri ngushëllohet me një “master” që ka bërë në fushën e sportit. Ndërkohë ka pasur edhe një rrudhje të buxhetit financiar tek shumësportëshi beratas, që është më poshtë se sa shifra 50 milion lekë të vjetra që ka qenë vitin e kaluar.
Më saktë, për vitin 2016, klubi shumësportësh “Tomori” ka një fond prej 33 milionë lekësh. E me sporte të tilla si peshëngritja, shahu, mundja, pingpongu, alpinizmi, basketbolli, qitja me pjatel, të cilat premtojnë për të ardhmen një fond i tillë është shumë pak.