AlbanianSport.com 26.06.2016 22:55
ASNN – Belgjika është skuadra e 6-të që ka konfirmuar vendin e saj midis 8 më të mirave të Evropianit “Francë 2016”, madje në mënyrë bindëse, pasi ka shpartalluar Hungarinë me rezultatin 4-0 në ndeshjen e luajtur të dielën në mbrëmje. Kështu, pas ka kapërcyer atë nisje të dobët, në trajtën e asaj humbjeje 0-2 në ndeshjen e parë me Italinë, Belgjika ka vijuar të konfirmojë statusin e saj si një nga kandidatet suprizë për trofe në Kampionatin e 15-të Evropian të Futbollit, që po mbahet në Francë.
Pasi kishin mundur në dy ndeshjet e tjera të grupit Irlandën, me rezultatin 3-0 dhe Suedinë 1-0, belgët kanë qenë të papërmbajtshëm në takimin e 6-të të vlefshëm për turin e 16-shes së “Francë 2016”, duke triumfuar ndaj Hungarisë me shifrat 4-0. Skuadra e drejtuar nga trajneri Mark Vilmots e ka gjetur golin e parë që në minutën e 10-të me anë të Tobi Alderveirelldit dhe, përkundër rasteve të krijuara, por dhe reagimit të hungarezëve, pjesa e parë do të mbyllet me këtë epërsi njëgolëshe të belgëve.
Ndërkohë, 12 minutat e fundit të pjesës së dytë kanë qenë fatale për hungarezët, të cilët kanë pësuar 3 gola. Fillimisht është Miçi Batshuaji që dyfishon shifrat në minutën e 78-të, ndërsa vetëm 2 minuta më pas, Eden Hazard vulos një paraqitje të shkëlqyer me golin e 3-të, ndërsa Karrasko do të fiksojë rezultatin në 4-0 për Belgjikën, e cila në çerekfinale do të përballet me Uellsin.