AlbanianSport.com 05.12.2014 10:05
ASNN – Në një publikim të shkurtër në faqen e saj në Internet, Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) ka bërë të ditur se peshëngritësja shqiptare, Romela Begaj, e cila fitoi titullin botëror në Kazakistan, ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut me substancën e ndaluar “stanozolol”.
Federata ndërkombëtare bën të ditur gjithashtu se për pasojë, sportistja do të pezullohet për momentin në pritje të kryerjes së testit B dhe dëgjimit të versionit të saj në apel.
Nëse vërtetohet se Romela nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar dhe rezultati i analizave të para nuk ka qenë i saktë, atëherë ajo mund të mbajë medaljen e artë dhe njëkohësisht dhe titullin.
I kontaktuar nga AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, e ka pohuar këtë njoftim, por ka kërkuar që të pritet përfundimi i të gjitha procedurave dhe afateve.
“Po, e kemi marrë një njoftim të tillë, i cili është zyrtar, – ka pohuar ai për AlbanianSport.com nëpërmjet linjës telefonike. – Por sikundër theksohet në njoftimin e IWF-së, gjithçka është provizore.”
“Pra do të presim përfundimin e të gjitha procedurave dhe afateve, pasi mesa dimë ne, sportistja ka kërkuar kryerjen e testit B dhe vetëm atëherë ne do të jemi në gjendje të flasim më konkretisht”, – ka shtuar Berisha, duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com
Romela e cila u shpall në fillim të nëntorit në Kazakistan në stilin e shkëputjes, duke ngritur 113 kilogram ishte peshëngritësja e parë shqiptare në histori që fitoi një titull botëror.