Nga Gjergj Vyshka 21.12.2015 07:55
Bëhet fjalë për ndeshjen e 24 shkurtit 2015 ndaj Italisë për përfaqësuesen e të rriturave. Deri më tani Pallati i Sportit “Asllan Rusi” nuk plotëson asnjë kusht të kërkuar nga ndërkombëtarët dhe nuk ka asnjë shans për t’u bërë ato që duhen. Përfundimi, përsëri gjoba për tanët. Basketbolli shqiptar sot ka afatin e fundit për të konfirmuar pranë Federatës Evropiane të koshit për të konfirmuar vendin se ku do të zhvillohet ndeshja e 24 shkurtit ndaj Italisë.
Bëhet fjalë për ndeshjen e parë si pritëse të kombëtares së femrave në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Të Rriturave 2017, ndërsa më pas më 19 dhe 23 nëntor tonat do të presin dhe Britaninë e Madhe e Malin e Zi. Pa harruar që më 20 shkurt kanë ndeshjen e fundit të vajtjes ndaj Britanisë së Madhe në fushë të huaj. Parë kështu, ndërsa më parë ka qenë edhe një afat i fundit më 20 nëntor 2015, Federatës Shqiptare të Basketbollit i lipset një ndihmë e fortë nga shteti për të pasur një pallat sporti të niveleve të kërkuara.
Do të jetë turp për të gjithë ne nëse Shqipëria e basketbollit të femrave do të përfundojë të luajë në jashtë vendit takimet si pritëse, gjë që nuk i shkon për shtat askujt. Në mendje, edhe duke e ditur që Pallatit i Sportit “Asllan Rusi”, apo Pallatet e Sportit në të gjithë Shqipërinë nuk plotësojnë asnjë kriter, tek drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit ekzistojnë edhe opsionet “Mali i Zi”, apo “Kosovë”. Por kjo nuk është normale.
Sikurse nuk është normale që basketbolli shqiptar të dyndet në gjoba të barasvlershme me dy turne pjesëmarrjeje në arenën ndërkombëtare për kombëtaret e moshave, sepse ne nuk kemi një Pallat Sporti normal. Edhe në analizën e së shtunës të Federatës Shqiptare të Basketbollit, presidenti Avni Ponari e ka përmendur gjendjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”: “Në dimër duhet të jesh me jorgan dhe në verë lakuriq, sepse është 40 gradë celsius temperatura e ajrit”.
Shkurt ne sot nuk kemi një Pallat Sporti normal, edhe kur është luajtur faza eliminatore e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ndeshjet e të cilit janë luajtur në orën 19:00, të gjithë “kanë prerë gozhdë” nga i ftohti. E sot Federata Shqiptare e Basketbollit duhet të konfirmojë se ku duhet të luajë me 24 shkurt ndaj Italisë. Në një buxhet që nuk shkon më shumë se 60 mijë euro në vit ka të ngjarë që të pranohet opsioni i luajtjeve në impiantet e fqinjëve.
Dhe kjo është për të vënë kujën, ndaj shteti duhet të shkundet për të mos u turpëruar siç po ndodh deri më tani.