Nga Avni Ponari* 16.01.2015 15:00
2015-ta do të jetë me kuptimin e plotë të fjalës viti i basketbollit ndryshe. Natyrisht nuk do të ndryshojmë rregullat e lojës, por FSHB-në, me mbështetjen e premtuar të Qeverisë shqiptare dhe vetë Kryeministrit Edi Rama do të implementojmë një politikë ndryshe, bazuar në strategji të mirëpërcaktuar nga federata, e cila do të marrë suportin e ekzekutivit. Jo vetëm një garë, jo vetëm një kampionat, por një strategji për të shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e lojës së koshit, drejt një tjetër dimensioni. Si president i FSHB-së gjithmonë kam tentuar të vë në funksion të tilla ingranazhe, por jo gjithmonë mbështetja ka ardhur, për të mos thënë që, të vetëm si FSHB nuk mund të operonim shumë thellë.
Realisht, tani ka ardhur momenti. Duke nisur që tek ekipet zinxhir të basketbollit, e deri tek marrja e pallatit të sportit. Jemi të gatshëm të përballojmë një ngarkesë administrimi, por që realisht do të prodhojë shumë. Na është premtuar një mbështetje dhe unë besoj te ky premtim. FSHB, me anë të një strategjie të mirëpërcaktuar, do të shtrijë jo thjesht masivizimin, por të gërshetuar me shfrytëzimin e jo pak kapaciteteve trajnuese që aktualisht nuk janë aktive, por që falë kësaj politike jam i bindur që do të veshin sërish tutat dhe do të kthehen në parket. Duke nisur që me klasat sportive, apo duke qenë më i drejtpërdrejtë: klasa basketbolli. Por, për të ardhur deri këtu duhet që të përcaktojmë saktë dhe të bëjmë evidentimin e palestrave dhe terreneve sportive të përshtatshme për të bërë basketboll, për ta ushtruar këtë sport. Emergjente është rikonstruksioni dhe përshtatja e tyre për të krijuar mundësinë e ushtrimit të këtij sporti.
Dhe në këtë drejtim, pas këtij hapi, FSHB do të pasojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes saj dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për marrjen, administrimin dhe përdorimin e këtyre palestrave, pse jo, edhe nën emrin e basketbollistëve me peshë dhe emër ndër vite. Që për fat, nuk janë pak. Gjithmonë në një marrëveshje me ministren, zonjën Nikolla, parashikohet edhe përdorimi i këtyre palestrave prej orës 14:00 deri në orën 22:00, çdo ditë, për të gjitha moshat që do të evidentohen dhe që do të atashohen pranë trajnerëve të ndryshëm për të ushtruar basketboll. Federata nga ana e saj ka në proces ndërkaq evidentimin e të gjithë trajnerëve dhe mësuesve që do të ngarkohen për të seleksionuar dhe regjistruar të gjithë fëmijët e të gjitha moshave që kanë dëshirë të luajnë basketboll. Dhe të ushtrohen për këtë sport. Dhe kjo nuk bëhet pa shkak dhe pa një lidhje logjike. Sepse kjo do të çojë direkt në krijimin e një rrjeti të plotë zinxhir si hapësira prodhuese për elementë të kombëtareve të moshave 16 dhe 18 vjeç për femra, si dhe të moshave 16, 18 dhe 20 vjeç për meshkuj. Dhe falë kësaj shtrirjeje, një program i tillë afatgjatë garanton edhe një rrjet të plotë të ekipeve kombëtare shqiptare, dhe më pas, paraqitjen e tyre dinjitoze në kompeticionet europiane dhe botërore, ku FSHB që këtë vit do të marrë pjesë me shumë ekipe, në një përfaqësim të gjerë.
Por, strategjia e re e thithjes së elementit të ri do të nisë që me punën e moshave në palestrat e shkollave, e deri te kombëtaret. FSHB në këtë pikë është duke ndërtuar një strategji të qartë, e cila kërkon natyrisht mbështetjen nga Qeveria shqiptare. Program që synon pra evidentimin e kapaciteteve trajnuese dhe suportin ministror për përdorimin e palestrave për fëmijët e moshave, të cilët do t’i nënshtrohen një regjistrimi, më pas seleksionimi në klasat sportive, apo më saktë, të basketbollit në shumë shkolla. Por, nuk ndalet me kaq, pasi këto klasa sportive, nën kujdesin dhe menaxhimin e FSHB-së do të prodhojnë garë, pra është menduar dhe do të organizohen kompeticione të basketbollit midis moshave, brenda rretheve dhe jashtë tyre. Kampionate që do të shtojnë masivizimin, do të rrisin interesin, dhe që në fund sërish do të kenë një tjetër impakt pozitiv: atë të përzgjedhjes vjetore të ekipeve pjesëmarrëse të grupmoshave dhe evidentimit të elementit cilësor për ekipet kombëtaret të moshave. Dhe në këtë drejtim, për të ardhur tek aneksi tjetër dhe po kaq i rëndësishëm i ekipeve kombëtare zinxhir. Pjesëmarrja e këtyre ekipeve kombëtare të moshave do të jetë sipas vendimit të FSHB-së, me idenë e seleksionimit, stërvitshmërisë dhe pjesëmarrjes, por edhe përgjegjësisë, sipas iniciativës së drejtimit me grup.
Një kombëtare për një grup që do të përgatitet, zgjidhet, kurohet financiarisht dhe ndiqet nga një grup. Dhe ky etalon ka nisur dhe është fakt tashmë. Por, kjo gjë kurrsesi nuk përjashton edhe përgatitjen kompetitive të ekipeve alternative. Për ta mbyllur me një kërkesë, që ndokujt mund t’i duket habi, apo mund ta shohin me skepticizëm: FSHB ka gati për pak dërgimin e kërkesës drejtuar Qeverisë shqiptare për t’i kaluar nën administrim federatës pallatin e sportit “Asllan Rusi”, për rikonstruksion dhe për ta kthyer më pas atë në shkollën e parë të basketbollit shqiptar në vend. Kërkesë e cila ka një lëvizje analoge me stadiumin “Qemal Stafa” dhënë FSHF-së, teksa FSHB garanton me marrjen e këtij pallati sporti rikonstruksionin dhe çuarjen në parametra model të impiantit të lojërave, ku basketbolli do të ketë shtëpinë e tij, pa përjashtuar këtu kurrsesi sportet e tjera.
* Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit