Gjergj Vyshka 15.12.2015 11:10
Presidenti Petto: “Ishte një shok shumë i mirë, një familjar shumë i mirë, një mik shumë i madh i cili do të na mungojë të gjithë neve. Ne e kemi pasur traditë që t’i kujtojmë figurat tona dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë atë edhe në vazhdim.” Tirana në basketboll për meshkuj është fituesja e Kupës “Gëzim Panariti”, që është bërë në përkujtim të ndarjes nga jeta të ish-basketbollistit bardheblu vetëm një muaj më parë. Për vetë figurën e tij, Gëzim Panariti, jo vetëm si sportist, por dhe si intelektual i shquar edhe dje në Sallën Sportive “Farie Hoti” në kryeqytet ka mbledhur shumë miq.
I pari ishte presidenti i Tiranës në basketboll për meshkuj, Arben Petto, si dhe shefi i klubit shumëportësh bardheblu Pirro Koleka. Sepse të dy së bashku janë bërë nismëtarët e kësaj Kupe, e cila ka pasur tre skuadra Tirana, Partizani dhe Ardhmëria Basket. Mandej si bashkëkohës të Gëzim Panaritit ishin në “Fahrie Hoti” Vaso Shaka, Stavri Bello (sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar), Korab Llazani (sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit), Mustafa Tukseferi, apo dhe shumë figura të cilat kanë kontribuar në basketbollin shqiptar.
Pa harruar këtu edhe drejtorin teknik të Kukësit, Hasan Lika, sepse duket se ka qenë pjesë e shoqërisë së përbashkët me të ndjerin Gëzim Panariti. Me fanellat e bardha me mbishkrimin Kupa “Gëzim Panariti”, pjesëmarrësit në këtë aktivitet, që duket se nuk do të jetë i vetëm, kanë bërë foto të madhe të përbashkët. Gjatë përshëndetjes së parë ka edhe momente lotimi nga presidenti i Tiranës në basketboll Arben Petto, që në prezencë të së shoqes dhe djalit të Gëzim Panariti ka vlerësuar figurën e tij. E më pas është mbajtur dhe një minutë heshtje, ndërsa ndeshjet janë gjykuar nga ndërkombëtari Gentian Cici dhe gjyqtari i kolegjiumit të Tiranës, Oltion Kasmi.