Gjergj Vyshka 08.02.2015 21:10
Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Ministria e Arsimit dhe Sporti në një bashkëjetesë të re. Presidenti Ponari: “Ky projekt që gjeti mbështetjen e qeverisë është një dritare për të gjithë”. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, pasi ka përmendur faktin e pjesëmarrjes së pesë ekipeve kombëtare të moshave në Kampionatin Evropian ka deklaruar se në edicionin e eliminatoreve të viteve 2015-2016 do të jetë dhe kombëtarja e të rriturave pjesëmarrëse.
“Shpreh kënaqësinë time e zhvillimit të projektit shkollat e basketbollit, – ka deklaruar ai. – Nëse deri dje kemi pasur një apo dy në gjatësinë mbi 2 metra, sot kemi një shumicë djemsh, të cilët do të jenë një e ardhme e mirë për basketbollin, sidomos në pjesëmarrjen në veprimtaritë ndërkombëtare. Kemi njerëzit për t’i vënë të luajnë basketboll, por duhet ambientet. Dhe them se do të jetë një dritare e mirë për të gjithë për t’u marrë me basketboll pas orëve të mësimit nga ora 14:00-24:00.”
“Dhe një herë faleminderit për mbështetjen e zhvillimit të këtij projekti”, – ka thënë Ponari, i cili së bashku me ministren Nikolla kanë hedhur firmën mbi marrëveshjen në praninë e mjeshtrave të koshit si Vaso Shaka, Kostandin Shkurti, Kujtim Kasmi, Ilir Trebicka, Gazmend Çaçi, Korab Llazani, Klodeta Dibra, Mirza Alibegaj dhe Karolina Kostallari. Tashmë vërtetë duket se po fryn një erë e re e zhvillimit të basketbollit në vend.