AlbanianSport.com 12/03/2018 07:55
ASNN – Presidenti Ponari: “Shpresoj që iniciativë të jetë një nxitje mbarëkombëtare, sepse në terrenet e shkollave do të luhet basketboll”. Jo vetëm futboll, shah, xhudo e hendboll, por tashmë dhe basketboll në shkolla, ndërsa zyrtarisht gjithçka ka nisur nga palestra e Shkollës 9-vjeçare “Qazim Turdiu”. Në fakt është një mini-pallat sporti në atë palestër, ndërsa tashmë “Qazim Turdiu” tashmë është angazhuar zyrtarisht në veprimtaritë kombëtare të basketbollit shqiptar, teksa ka ekipet e para të rinjve dhe të rinjve. Ndaj dhe është marrë si model kjo shkollë, atje ku basketbollistë aktivë si Eni Llazani, apo dhe Selimaj, apo dhe trajnerë të tjerë merren me fëmijët e kësaj shkolle.
Në fakt ka gati tre vjet që Federata Shqiptare e Basketbollit e kishte paraqitur si projekt. E kjo që më 2015-ën, ndërsa duket sikur askush nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk ia pat vërshëllyer këtij projekti. E sot që ka nisur zyrtarisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ndihet mirë. “Është emocionuese, -thotë i pari i basketbollit shqiptar, – një ditë e veçantë. Do të thoja që, më në fund, pas gjithë kësaj përpjekjeje të Federatës Shqiptare të Basketbollit për të integruar këtë lojë në shkolla, e arritëm që të sensibilizonim opinionin, organet shtetërore dhe Bashkitë që basketbolli të fillojë të rritet.”
“Pasi, pavarësisht se është vonë, më në fund filloi një erë e re për basketbollin. Shpresoj që kjo iniciativë të jetë një nxitje mbarëkombëtare, sepse në terrenet sportive të shkollave do të nisi të luhet basketboll, – ka vijuar ai. – Dhe, në fund të fundit, kjo është shumë e rëndësishme.” Ponari pranon se ky program do të shtrihet në të gjitha qytetet ku luhet basketboll e jo vetëm, ndërsa ka dhe shkolla të tjera që pas orëve të mësimit luhet basketboll, ndërsa një shembull konkret është dhe shkolla 9-vjeçare “Niket Dardani”. “Në fakt, – deklaron Ponari, – në Tiranë janë disa shkolla që luhet dhe ushtrohet basketbolli.”
“Do të ketë në Durrës, në Vlorë e në Shkodër, pra kudo ku luhet basketbolli. Aktualisht janë me qindra djem e vajza që luajnë basketboll dhe që po rriten me këtë lojë. Ndoshta janë afruar tek basketbolli edhe nga dëshira për të qenë në kombëtare. Mos harroni ne prej tre vjetësh marrim pjesë me të gjitha kombëtaret e moshave në veprimtaritë ndërkombëtare. Kjo i ka dhënë një nxitje dhe një shtyje të gjithë trajnerëve, basketbollistëve e fëmijëve për t’u marrë e për t’u bërë basketbollistë të vërtetë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.