AlbanianSport.com 12/03/2018 14:20
ASNN – Duket se nuk ka qenë e lehtë për të bërë gati infrastrukturën për të zyrtarizuar këtë projekt. Por megjithatë në bashkëpunim me drejtoreshën e Shkollës 9-vjeçare “Qazim Turdiu”, Kudrete Abazi, të gjithë së bashku ia kanë dalë që palestra të ishte gati të hënën. Kudo nëpër shkollë ishin të pranishëm pankartat “Basketbolli në Shkollë”, ndërsa fëmijët e shkollës të veshur me fanella me ngjyra të ndryshme kanë demonstruar se dinë të luajnë basketboll.
Një ndeshje është drejtuar nga gjyqtari i kategorisë së parë, Erlambi Tiko, ndërsa është e vetmja palestër shkolle që ka tabelë elektronike. Ndaj për të gjithë këtë, teksa e ka pasur të gjithë stafin e Federatës Shqiptare të Basketbollit në gatishmëri, Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani do të deklaronte: “Deri tani, ky projekt në kuadrin e shkollave qendër komunitare, po zhvillohet në një gamë sportesh siç është dhe futbolli, apo dhe sporte të tjera.”
“Dhe pse ne këtë iniciativë e kemi pasur që në vitin 2010 struktura të ndryshme nuk e kanë përqafuar siç duhet si ide, – ka vijuar ai. – Por, sidoqoftë, të vjen mirë që erdhi koha që të kuptohet që shkolla është një mjedis i rëndësishëm tek i cili duhet mbështetur e ardhmja e sportit, ashtu sikurse është për të gjitha fushat e jetës.” Nxënësit e pranishëm janë përshëndetur dhe nga Zëvendësministri i Sportit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Kostandin Shkurti, një ish-basketbollist i Tiranës.
“Sporti në shoqërinë tonë shfaqet si një veprimtari, qëllimi i së cilës është argëtimi, zhvillimi, e pse jo edhe rritjes së treguesve psiko-fizikë. Prandaj, për nxënësit e shkollave duhen modele të reja tërheqëse dhe stimuluese”, – theksoi Shkurti në fjalën e tij përshëndetëse, kurse tashmë edhe zyrtarisht ka nisur rrugëtimin programi “Basketbolli në shkolla”.