Gjergj Vyshka 08.02.2015 13:25
Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit duket se do të jenë tashmë në një bashkëjetesë të re, teksa presidenti Avni Ponari dhe ministrja Lindita Nikolla kanë firmosur dje marrëveshjen e zhvillimit të projektit “Shkolla e Basketbollit”. Në praninë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, por dhe të të gjithë ministrave të qeverisë, të cilët tashmë janë angazhuar në marrjen në patronazh të një shkolle, dy titullarët kanë firmosur atë marrëveshje. Që do të thotë më shumë të rinj që do të merren me basketboll dhe më shumë palestra të shfrytëzuara për të bërë sport, të cilat do t’i shërbejnë idesë së kthimit të shkollave në qendër komunitare.
Në fakt gjithçka ka ardhur në ditën e 7 marsit, që është festa e mësuesit, ndërsa në mjediset e Galerisë së Arteve në mënyrë simbolike për të mësuesit e drejtuesit e shkollave, që tashmë do të jenë në patronazhin e qeveritarëve tanë, kryeministri Rama ka shpërndarë dhe karafila. Dhe duke promovuar projektin që një ministër do të ketë një shkollë në patronazh për ta kthyer nxënësin në një qytetar të mirë me më shumë dije se ajo që merre në një orë 45 minutëshe, i pari i qeverisë ka shpjeguar dhe qëllimin e projektit me Federatën Shqiptare të Basketbollit, pra shkollat e basketbollit. “Jemi gati të promovojmë dhe një iniciativë tjetër, të një grupi kampionësh të sportit, – ka deklaruar kryeministri ish-basketbollist. – Janë njerëz që arritën të bënin sukses e të ngrinin peshë zemrat e këtij populli.”
“Në një kohë kur numri i palestrave ishte i vogël dhe kushtet për të luajtur basketboll ishin shumë më të këqija. Nuk them se kushtet e sotme janë më të mira, por atëherë është bërë sport në kushte shumë më të vështira. Por ky grup njerëzish, lidhen me njëri-tjetrin nga historia e suksesi. Dhe secili nga këta kampionë kam marrë përsipër të marrin në patronazh palestrat dhe t’iu vihen në dispozicion të prindërve dhe fëmijëve që të mësojnë basketbollin. Të konsumohen orët e lira në një aktivitet që është përtej rezultatit të ndeshjes. Kjo është rëndësia e të qenit pjesë e një skuadre. Dhe përmes qytetarit është dhe marrja me politike. E kjo ka ardhur kur njerëzit nuk zgjidhnin dot problemet të sigurisë, apo të problemeve të tyre e nga shoqëria ku njeriu ha njeriun erdhëm sot tek demokracia. Besoj se mentorët e sportit do të jetë një projekt për zhvillimin e basketbollit”, – deklararoi kryeministri Edi Rama.