AlbanianSport.com 04.10.2014 07:00
ASNN – Ndërkohë që Kampionati Botëror i Basketbollit për Femra e ka patur pushim të enjten, për të vijuar sot me çerekfinalet, ai i Volejbollit për Femra ka vijuar takimet e fazës së dytë të klubeve.
Dita e enjte, që ishte edhe dita e 7-të e Botërorit të Volejbollit, që po mbahet në Itali, ka vijuar me ngarkesë të plotë, duke luajtur 8 ndeshje. Midis këtyre takime spikatën fitoret e Republikës Domenikane, Serbisë dhe Kinës.
Ndërkohë, në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Rusia ka shkuar dëm kryesimin me dy sete, duke i lejuar Turqisë të barazojë shifrat në 2-2 dhe më pas të përmbysë gjithçka, duke e fituar ndeshjen me rezultatin 3-2.
Po në të njëjtat shifrat, por në një ndeshje që u karakterizua nga lufta e fortë, Japonia ka triumfuar ndaj Gjermanisë.
Ndërkohë kanë qenë më të thjeshta fitoret e Italisë, 3-0 ndaj Belgjikës, e Brazilit, 3-1 ndaj Holandës, dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 3-0 ndaj Bullgarisë.
E premtja është pushim, ndërsa Botërori i Volejbollit të Femrave kthehet në parket të shtunën.