Gjergj Vyshka 23.06.2016 08:20
Më datë 15 qershor 2016, me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, Kombëtarja e Nën-18-vjeçarëve në basketboll për djem ka zyrtarizuar listën e 24 lojtarëve në institucionin më të lartë të koshit, në FIBA Evropë.
Shqipëria e Nën-18-vjeçarëve djem do të jetë në Divizionin B, ndërsa ndeshjet do të luhen në Shkup të Maqedonisë, nga data 29 korrik, deri më 7 gusht 2016. Dhe kuqezinjtë, që do të drejtohen nga malazezi Petar Mijoviç, do të jenë përballë Anglisë, Sllovakisë, Skocisë, Ukrainës e Gjeorgjisë.
Pasi ka bërë përzgjedhjen paraprake, sot nga ora 08:00, deri në ora 10:00, edhe sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, kjo kombëtare, me 24 të përzgjedhurit e Mijoviçit, do të jetë në stërvitje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
E kësisoj vijon aksioni i basketbollit shqiptar me një verë të ngjeshur me veprimtari, ndërsa do të jenë pesë kombëtare moshash në konkurrim.
Lista e 24 basketbollistëve të trajnerit Petar Mijoviç:
Arbër Babasuli, Ferdi Bedini, Oresti Beli, Armir Bytyçi, Anxhelo Çaushi, Odri Dedolli, Joans Gjeçi, Nikolla Haruni, Eldi Hysa, Skerdi Jareci, Frenki Lilaj, Olsi Ndoj, Fadiol Ndreu, Eraldo Nikoci, Elion Osmani, Kristian Pashaj, Idi Qilimi, Edison Rreshketa, Elison Spahijaj, Klein Strazimiri, Çelis Taflaj, Martin Tallushi, Kristo Thano, Xhoen Tugu