Vllaznia në basketboll për meshkuj ka zgjedhur miqësoren me “Golden Eagle” Yllin për të testuar amerikanët që kanë mbërritur pranë skuadrës ditë më parë. Një ndeshje që me emocionet që dhuroi në fushën e lojës dhe falë atij publiku të shumtë risolli edhe një herë në vëmendje Vllazninë e fortë dhe spektakolare të vitit të kaluar.
Vllaznia e nisi mirë ndeshjen, ndërsa arriti të fitonte pjesën e parë 20-16. Por në të dytën iniciativa kalon në duart e miqve nga Suhareka që, duke e fituar këtë pjese 12-20 e mbyllin gjysmën e parë në epërsi 32-36. Pjesa e dytë është shumë më e bukur se e para dhe për këtë meritë ka plotësisht Vllaznia.
Mbi të gjitha amerikani Frilav, i cili me elegancën dhe lëvizshmërinë e madhe në fushë, por dhe saktësinë në gjuajtjet për 3 pikë, i ka bërë të gjithë për vete. Rivaliteti dhe emocionet gjatë këtyre pjesëve të dyta shfaqen më së miri edhe në barazimet e shumta.
Madje, kur duheshin vetëm 8 sekonda për t’u mbyllur e gjithë ndeshja, skuadra mysafire nga Suhareka kryesonte 79-80. Fatin e kësaj ndeshje do ta përcaktonte kapiteni i kuqebluve, Ervin Berdica, i cili me një depërtim të guximshëm arriti të shënonte dhe Vllaznia fitoi 81-80.
Trajneri Gjeçaj komplimentoi jo vetëm basketbollistët amerikan, por të gjithë skuadrën, ndërsa Vllaznia pritet të jetë përsëri pretendente për kampion.
Vllaznia – “Golden Eagle” Ylli 81-80
(20-16, 12-20, 26-23, 27-21)
Vllaznia: Hamati, Bërdica, Palmer, Frilav, Xhekson / Bekteshi, Ndoja, Arra, Da. Lekndreaj. Trajner: B. Gjeçaj
“Golden Eagle” Ylli: Oliver, Nushi, Anderson, Rronin, Grosha / Mathë, Elsheni, Fatim, Karanci. Trajner: A. Berisha
Gjyqtarë: G. Cici, G. Hoxha (Tiranë)