Gjergj Vyshka 08.10.2014 09:35
Ka mbetur dhe një javë nga starti i Ligës Ballkanike në basketboll për meshkuj, e cila nis më 14 tetor, atje ku pjesëmarrëse do të jetë dhe Vllaznia. Kuqeblutë janë “kampion” në fuqi të basketbollit të meshkujve dhe gjatë tregut të lëvizjeve të lojtarëve, pasi kanë mbajtur sllovenin Saralija, kanë marrë dhe dy malazezë dhe një kroat.
Dhe pasi kanë luajtur një sërë miqësoresh, kuqeblutë e Bledar Gjeçajt të hënën pasdite kanë qenë përballë Ulqinit në fushën e kësaj të fundit. Të paktën edhe sipas faqes në “Facebook” të “Shoqata Basketbollit Vllaznia”, kuqeblutë kanë fituar vetëm me një pikë diferencë, 90-91.
Që do të thotë se ka qenë një ndeshje e luftuar, ndërkohë që në ditën e parë të Ligës Ballkanike në Basketboll për meshkuj, Vllaznia më 14 tetor do të jetë përballë Sigal Prishtinës në fushën e kësaj të fundit. Ajo që duhet nënvizuar është fakti se kuqeblutë të gjithë këtë periudhë kanë bërë stërvitje e ndeshje në mjedise të tjera.
Kjo sepse Pallati i Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër ka qenë në rikonstruksion për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka parashtruar Liga Ballkanike. Kështu që duhet parë Vllaznia kur të zbresë në parketin shkodran, ndërsa deri më tani, me të gjitha miqësoret e fituara, duket mirë.