Gjergj Vyshka 23.02.2016 16:45
Kombëtarja e basketbollit të femrave, do të zhvillojë të mërkurën në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, në ora 18:00, ndeshjen e saj të radhës në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit. Do të ketë përballë Italinë, e cila na ka mundur në fushën e saj me 83 pikë diferencë, 38-121.
Sikurse na ka mundur dhe Mali i Zi me 60 pikë diferencë, 39-99, apo siç bëri dhe Britania e Madhe të shtunën kur na mundi me 86 pikë diferencë, 36-122. Madje shkrimi në Federatën Evropiane të Basketbollit, thonte: “Të dymbëdhjetë lojtaret britanike janë shënuese pikësh ndaj Shqipërisë.”
E megjithatë për një Pallat Sporti modern, Federata Shqiptare e Basketbollit dje ka qenë në “aksion” për të vendosur aparaturat e reja. Që nga koshat e gjithçka tjetër do të jetë model, tabela që në fakt qenë parashikuar për Pallatin e Sportit në Fier, që kurrë nuk u bë.
Mirëpo a mund të bëhet “nuse” një Pallat Sporti që është për t’u shembur, sepse nuk mund të vazhdojë të jetë më i tillë me të gjitha kushtet që ofron? Kjo mbetet për t’u parë të shtunën me shpresën që nuk ka për të rënë shi, ndërsa Italia vjen të mërkurën vetëm disa orë përpara zhvillimit të ndeshjes.
Vajzat kuqezi, të drejtuar nga trajneri Erdal Borova dhe ndihmësja e tij, Elvira Xhyra, kanë bërë stërvitje dje, do të kenë dhe një të fundit sot për t’u përshtatur me koshat e rinj. Por është e vështirë të kemi një situatë ndryshe të mërkurën nga kombëtarja e femrave…