AlbanianSport.com 02/03/2024 16:20
ASNN – Liga Unike e basketbollit midis Shqipërisë dhe Kosovës rikthehet me meshkujt pas një viti pushim, turneu me sistem grumbullimi në Vlorë. Ndërkohë që Liga Unike për femra ka vijuar normalisht aventurën e tij dhe është duke mbyllur edicionin e tij të tretë, me meshkujt situata ka qenë më e ndërlikuar. Vjet turneu që bashkon ekipet e basketbollit nga Shqipëria e Kosova nuk u zhvillua.
Por këtë sezon situata është ndryshe dhe dy Federatat e Basketbollit (FSHB dhe FBK) kanë rënë dakord që ky turne të organizohet në Vlorë, me sistem grumbullimi. Ndeshjet do të zhvillohen nga data 27, deri më 31 mars në qytetin bregdetar. Gjithsej do të jenë 8 skuadra pjesëmarrëse, 4 nga Shqipëria e 4 nga Kosova. Ato janë Tirana, Kamza Basket, Besëlidhja e Teuta nga Shqipëria.
Por dhe Peja, Sigal Prishtina, Trepça e Golden Ylli nga Kosova. Ende nuk është përcaktuar një kalendar zyrtar për ndeshjet, por organizimi në Vlorë është bërë për t’u ardhur në ndihmë skuadrave shqiptare, që kishin më shumë probleme financiare se ato kosovare. Nënkryetari i Bashkisë Vlorë, Klevis Kaso, garantoi Ligën Unike “Lajthiza”, për pjesën organizative.
“Në kuadër të titullit “Qyteti Evropian i Sportit”, Vlora është angazhuar që ta presë këtë garë që unifikon sportin e basketbollit ndërmjet trevave shqiptare, – ka thënë ai. – Falënderojmë të dyja federatat respektive që janë angazhuar që ky event kaq i rëndësishëm të bëhet në Vlorë. Ne jemi të gjithë të angazhuar që të transmetojmë sport dhe një demonstrim sa më të bukur për këtë eveniment.”
“Me këtë rast dua të falënderoj “Lajthizën” dhe presidentin e saj që e mbështet këtë Ligë. Ajo që mund të them është se ne jemi gati për të qenë në lartësinë e duhur për sa i përket organizimit”, përfundoi Klevis Kaso. Liga Unike “Lajthiza”, kështu që do të quhet evenimenti mbarëkombëtar i basketbollit për meshkuj ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.