AlbanianSport.com 08.04.2015 07:05
ASNN – Trajneri i Flamurtarit në basketboll për femra, Viron Toska, ka ironizuar me Tiranën, në prag të gjysmëfinales së dytë të “play off”-it në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Një ditë më parë, Erdal Borova, trajneri i skuadrës që udhëheq 1-0 serinë gjysmëfinale, për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, tha se Tirana e dominoi me meritë vizitën vlonjate, kjo falë qetësisë së treguar nga vajzat. Por, e menjëhershme ka qenë edhe replika nga trajneri vlonjat, duke i quajtur si modestë dhe shprehur habinë sesi nuk kanë ankesa për gjykimin.
“Çuditërisht, modestët e ekipit të Tiranës nuk flasin për gjyqtarët, ndërsa kur humbasin bëjnë polemika dhe presion ndaj tyre”, – tha trajneri Toska. Pas këtij mesazhi “thumbues”, trajneri i vlonjateve shfaqet i qetë dhe optimist për ecurinë e mëtejshme pozitive të skuadrës. “Nuk kemi humbur gjithçka, por vetëm një ndeshje, të cilën e nisëm mjaft mirë në 10-minutëshin e parë, – ka vijuar ai. – Nëse Zykaj, Çorta e më tej Vukoviç e Palko shënuan plot 57 pikë, pjesa tjetër e skuadrës nuk u shfaq në ditën më të mirë.”
“Tani, në prag të ndeshjes së dytë me Tiranën në kryeqytet, ekipi e ka të qartë përgjegjësinë e madhe për të marrë revanshin, – ka theksuar Toska. – Tirana ka avantazhin se luan në fushën e saj dhe udhëheq me rezultatin 1-0. Gjithsesi, ne do t’i tregojmë Tiranës se për Flamurtarin loja në transfertë nuk përbën aspak problem dhe fitoret tona në fushat kundërshtare kanë qenë të shumta. Vajzat e kanë vlerësuar maksimalisht këtë takim si përcaktues, prandaj ndaj Tiranës do të kërkojmë vetëm fitore.”
“Qëllimi ynë është të baraspeshojmë rezultatin në 1-1, që më tej gara për kualifikim të jetë e hapur, – ka pohuar trajneri i labeve të koshit. – Kam bindjen se ndeshja do të zhvillohet mjaft e bukur dhe rezultative, pasi me përforcimet e ditëve të fundit të dyja skuadrat kanë rritur cilësinë e tyre.” Në ndeshjen e parë, Tirana fitoi me rezultatin e përgjithshëm 80-74. Sakaq, në gjysmëfinalen tjetër Apolonia kryeson 1-0 ndaj Skënderbeut pas fitores së thellë në takimin e parë në shifrat 90- 50. Ndeshja e dytë do të luhet sot, në qytetin e Korçës, në orën 16:00, dhe fieraket kuotohen përsëri favorite për t’u kualifikuar në finale, sikurse dhe për titullin kampion të këtij edicioni.