Gjergj Vyshka 13.05.2016 14:55
Në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Të Rinj, Superiori e ka nisur shpejt dhe fort lojën, ndërsa Vllaznia ka reaguar për një çast vetëm pas pushimit të trajnerit Koka. Është afruar në një moment 6-4, madje ka kaluar edhe në epërsi 7-6.
Por vetëm kaq. Superiori ka shpërthyer dhe Ruçaj bëhet i papërmbajtshëm, ndërsa duke pasur edhe ndihmën e Gjeçit e Qilmit, epërsia vjen gjithnjë duke u thelluar. 29-15 pjesa e parë për Superiorin, që në të dytën duket sikur ka “fjetur në dafina” dhe ka qenë e sigurt për fitoren.
Por nuk ka ndodhur kështu. Vllaznia reagon dhe pasi fiton pjesën e dytë 11-20 arrin të ngushtojë në 40-35. Pushimi ka vlejtur për ta shkundur mirë Superiorin, që reagon fort në pjesën e tretë, të cilën e ka fituar 22-10 dhe ka thelluar në 62-45.
Pavarësisht fitores së Vllaznisë në të katërtën 17-21, fitorja për Superiorin ka qenë më shumë se e sigurt, ndërsa skuadra e trajneres Ledina Koçi, e cila në garën me sistemin vajtje-ardhje nuk njeh asnjë humbje, ka vulosur gjithçka në shifrat 79-66
Superiori – Vllaznia 79-66
(29-15, 11-20, 22-10, 17-21)
Superiori: Gjeçi (18), Qilimi (20), Osmani (6), Jareci (10), Ruçaj (28) / Gjonaj, Berati, Canaj (2), Pasho (1), Çelaj, Balliu, Muho. Trajnere: L. Koçi
Vllaznia: Perja (5), Rashketa (19), Bardulla (20), Tinaj (7), Selimi (10) / Marku (3), Kuçi, Bitri, Selham. Trajner: R. Koka
Gjyqtarë: A. Bejko (Tiranë), M. Majko (Durrës)