Gjergj Vyshka 14.05.2016 12:55
Bardhebluve të trajnerit Melsin Lazimi nuk i kanë mjaftuar 30 pikët e Lilajt, që ka realizuar treçerekun e pikëve të skuadrës së tij, ndërsa ekipi i trajneres Ledina Koçi, me një shpërndarje totale të lojës, ishte bindës. Superiori dje ka luajtur si në mbrojtje zonale, ashtu dhe një për një, ndërsa Lilaj, që ishte pika kryesore e Tiranës, është mbajtur si nga Gjeçi, ashtu dhe Ruço.
Jo vetëm kaq, por me mënyrën e të luajturit skuadra e Ledina Koçit e ka mbajtur larg koshit Kokon dhe Hysën dhe saktësia e tyre ka qenë thuajse zero krahasuar me atë që ka dhënë Tirana në gjysmëfinale. Superiori mbron fort, por është i tillë dhe në sulm. E për rrjedhojë ia ka dalë që të jetë fitues në të katërt pjesët e lojës. 17-10 e para, 17-8 e dyta dhe në pushim 34-18.
E treta e thellon dhe më shumë epërsinë e Superiorit, teksa ka fituar 21-15 dhe në total 55-33. Superiori ka pasur momente që ka shkuar dhe deri në 30 pikë diferencë në epërsi. Megjithatë fundi i lojës, kur pjesa e katërt ka përfunduar 20-15, ka shënuar rezultatin total 75-48 për Superiorin, që kështu e ka merituar sërish trofeun e kampionit për të rinj në basketboll.
Superiori – Tirana 75-48
(17-10, 17-8, 21-15, 20-15)
Superiori: Osmani (14), Qilimi (7), Gjeçi (20), Jareci (16), Ruçaj (11) / Canaj (2), Balliu (3), Gjonaj (2), Muho, Berati. Trajnere: L. Koçi
Tirana: Lilaj (30), Koko (7), Hysa (9), Boraj (2), Ismaili / Çuka, Hoxha, Gërbi, Sukaj. Trajner: M. Lazimi
Gjyqtarë: G. Hoxha, A. Bejko (Tiranë)