Gjergj Vyshka 03.12.2014 22:50
Tabela elektronike dje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” ka punuar me hope. Madje bëhet fjalë për tabelën, e cila shfaq përveç rezultatit edhe gabimet personale të lojtarëve sipas numrave që kanë në fanellë. Por jo vetëm kaq, edhe njëri prej matësve të 24-sekondëshit ka punuar me hope.
Vetëm pasi të lëvizeshin fishat me dorë të aparatit të komandimit mundet që të vinte tabela në terezi. Dhe në fillimin e pjesës së tretë, edhe me ndërhyrjen e komisarit të ndeshjes, Shpëtim Bozdo, është kërkuar funksionimi normal i këtyre tabela, gjë që është stabilizuar.
Në Pallat janë hedhin fajin Federatës, e cila në fakt të gjitha pultet e komandimit i ka të komanduara. Por nuk duhet harruar që ato përdoren nga punonjësit e Pallatit të Sportit, jo vetëm për basketboll, por dhe ndeshje të futbollit të sallës, apo dhe për veprimtari të tjera, të cilat kanë nevojë për tabelën elektronike.
Dhe e gjithë kjo zallamahi ka shkaktuar dhe ndërprerje të shpeshta të lojës. Ndërkaq, Dervishit të Partizanit sekretaria duket se i ka shtuar një pikë nga xhepi. Lojtari me Nr. 13, të paktën edhe sipas specialistëve që ishin të pranishëm në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, e ka bërë koshin e tij brenda zonës mbrojtëse të kundërshtari.
Madje dhe shenja e gjyqtarit për sekretarinë ka qenë për dy pikë e jo tre. Por ndodh dhe kështu, ndërsa jo rrallëherë pikët viheshin në tabelë nga komanduesi i tyre ndryshe nga çfarë ishin në realitet. Megjithatë Partizani e meritoi suksesin e tij në triumfin ndaj Apolonisë.