AlbanianSport.com 22.10.2014 18:25
ASNN – Urrejtja për shqiptarët nuk është vetëm në Beograd të Serbisë, apo edhe brenda stadiumit të Partizanit të Beogradit. Përkundrazi ajo shfaqet pa kufi në të gjitha trevat serbisht-folëse, ndërsa një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmë në ndeshjen e basketbollit të Ligës Ballkanike, Sutjeska-Peja 86-84. Sipas asaj që raporton media kosovare në Internet, Gazeta “Express”, tifozët malazez kanë ofenduar rëndë basketbollistët dhe në përgjithësi shqiptarët në sfidën mes Sutjeskas dhe Pejës.
Në ndeshjen e zhvilluar në Mal të Zi, tifozët vendës bënë thirrje në kor kundër shqiptarëve. “Vrite, vrite shqiptarin”, ishte një nga thirrjet, që e ka kthyer ndeshjen e basketbollit jo më në një takim sportiv, por krejtësisht racor dhe të patolerueshëm për atë që duhet të demonstrojë sporti në përgjithësi. Sa i përket ndeshjes, Sutjeska ka arritur të triumfojë 86-84 kundër Pejës në kuadër të ndeshjeve të turit të dytë të fazës së grupeve në Ligën Ballkanike.
Malazezët fituan kundër pejanëve, edhe pse këta të fundit e udhëhoqën sfidën në pjesën e dytë dhe të tretë bindshëm. Vendësit fituan pjesën e fundit 30-18 dhe të gjithë ndeshjen 86-84. Pavliçeviç udhëhoqi këtë fitore të malazezëve, teksa ka shënuar 20 pikë, teksa Ziziç shënoi 18 të tjera. Tek Peja, më efikasi ishte Alban Veseli me 20 pikë, kurse Samir Shaptahoviç shënoi 17. Ndërkohë në grupin B, Vllaznia ka qenë pushim, kurse Kozuv ka fituar edhe ndeshjen e saj të dytë, ndërsa ka triumfuar në Krajovë të Rumanisë, me skuadrën vendëse SCM Universitatea Krajova, 87-84.
Sot luhet ndeshja tjetër mes Mornarit të Tivarit dhe Sigal-it të Prishtinës.