AlbanianSport.com 21.04.2016 07:50
ASNN – SIGAL Prishtina ka fituar për të dytin vit më radhëtrofeun e Ligës Ballkanike, pavarsisht se në ndeshjen e dytë është mundur në Tivar, 68-75. Por kishte fituar ndeshjen e parë 82-68 dhe për rrjedhojë suksesi ka qenë për djemtë e trajnerit Antonio Kostantinides. Kështu, SIGAL Prishtina e ka mbrojtur titullin e kampionit në Ligën Ballkanike (BIBL) pavarsisht disfatës së pësuar të mërkurën mbrëma përballë Mornarit në Tivar të Malit të Zi, me rezultatin 68-75 (15-23, 24-12, 8-22, 21-18).
Kjo pasi dueli i parë i luajtur në kryeqytetin e Kosovës, pati përfunduar me rezultatin 82-68. Epërsia e krijuar në ndeshjen e parë me 14 pikë diferencë u ka mjaftuar prishtinasve, të cilët për vitin e dytë radhazi janë kurorëzuar me trofeun e BIBL-it.
Më të spikaturit tek SIGAL Prishtina ishin Xhejson Uoshbërn, me 24 pikë dhe Dardan Berisha me 15, ndërsa në anën tjetër, tek Mornari, më shumë pikë kanë realizuar Lejmont Xhons, 22, dhe Balsa Radunoviçi, me 20 pikë.
Në gjysmëfinalen e Ligës Ballkanike, SIGAL Prishtina pati mposhtur Beroen e Stara Zagorës së Bullgarisë, kurse Mornari pati eliminuar Kozhuvin nga Gjevgjelia e Maqedonisë.
Krahas SIGAL Prishtinës, në edicionin 2015-2016 të Ligës Ballkanike kanë marrë pjesë edhe dy skuadra të tjera kosovare, Peja dhe Bashkimi nga Prizreni. Pejanët janë eliminuar në çerekfinale, kurse prizrenasit u ndalën në fazën e dytë të ndeshjeve në grupe.