AlbanianSport.com 14.02.2016 23:35
ASNN – SIGAL Prishtina ka mposhtur Pejën në një finale dramatike, të vendosur në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në sekondën e fundit, për të rikthyer Kupën e Kosovës në kryeqytet. Tri pjesët e para ishin të barabarta duke përfunduar secila me rezultat të barabartë, përkatësisht 20-20, 24-24, 23-23.
Edhe pjesa e katërt ishte në barazpeshë të plotë dhe shifrat ishin fiksuar në 78-76 në 30 sekondat e fundit. Peja kishte të drejtën e sulmit të fundit, por verdhezinjtë, të cilët e shfrytëzuan deri në fund kohën e tyre të sulmit, por pa dobit. Topi u fitua nga kryeqytetasit, të cilët bënë diferencën u bë në sekondën e fundit.
Kjo, falë një goditjeje të saktë për 3 pikë të amerikanit Uilli Kemp, i cili fiksoi kështu rezultatin përfundimtar në 81-78. Lojtari më i spikatur tek fituesit e Kupës ishte Dardan Berisha që shënoi 25 pikë, fitoi 5 topa në tabelë dhe dha 4 pasime për kosh. Në radhët e kryeqytetasve luajti edhe basketbollisti shqiptar, Gerti Shima.
Ndërsa tek Peja u dallua Nenad Deliçi, i cili shënoi 17 pikë dhe fitoi 9 topa në tabelë, dhe Drilon Hajrizi, së bashku me Kevin Bëruellin, me nga 14 pikë secili. Me këtë fitore, SIGAL Prishtina kthen Kupën e Kosovës në kryeqytet, pasi vitin e kaluar fituese ishte Peja. Të dyja rivalet mbeten pretendente edhe për kurorën e kampiones së Kosovës.