Gjergj Vyshka 01.04.2016 07:55
SIGAL Prishtina për herë të dytë do të jetë në finalen e Ligës Ballkanike në Basketboll për meshkuj, teksa është fituese në fuqi, ndërsa sezonin e kaluar pati fituar ndaj bullgarëve të Rilski Sportist (74-72 dhe 80-71). Këtë herë Sigal Prishtina e trajnerit Kostantinides, që është njëkohësisht dhe trajneri i ekipit kombëtar të Shqipërisë në basketboll për meshkuj, do të jetë përballë malazezëve të Mornar.
Ndeshja e parë do të jetë më 12 prill në Prishtinë dhe e kthimit më 20 prill në Malin e Zi. Të mërkurën në mbrëmje, SIGAL Prishtina ka fituar edhe ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj bullgarëve të Beroe Stara-Zagorës, me shifrat 94-75. SIGAL Prishtina, ishte në çdo aspekt më e mirë se skuadra mike dhe në asnjë moment nuk e vuri në dyshim fitoren.
Epërsia e mjaftueshme e arritur në dy pjesët e para (26-14 dhe 22-15) bëri që basketbollistët vendës në pjesën e dytë të hyjnë më të qetësuar. Dhe në këto kushte trajneri Kostantinides u jep rastin edhe basketbollistëve të rinj të Prishtinës që të kenë kënaqësinë e lojës duke u inkuadruar në fushë.
SIGAL Prishtina me lojën e treguar, herë-herë edhe spektakolare, dëshmoi se gjendet me meritë në finale të Ballkan Ligës dhe me gjasa të mëdha do ta mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar. Më i spikatur në lojë në radhët e SIGAL Prishtinës edhe kësaj here ishte Dardan Berisha me 28 pikë të shënuara.