AlbanianSport.com 29.03.2016 13:30
ASNN – Synimi i Shqipërisë për të marrë pjesë me dy skuadra në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj (BIBL) është një hap në drejtimin e duhur për rritjen e nivelit të këtij sporti. Për kreun e kësaj Lige Ballkanike, Shei Shtriks, edhe pjesëmarrja me 7 ekipe përfaqësuese moshash në Kampionatin Evropian të koshit është një ogur i mirë edhe për klubet.
Me ftesë të presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka mbërritur në Tiranë kreu i Ligës Ballkanike të Basketbollit, Shei Shtriks. Duke folur për Televizionin Shqiptar, Shtriks ka vlerësuar synimin e Shqipërisë për të marrë pjesë me dy skuadra në këtë veprimtari rajonale.
“Besoj se tanimë ka ardhur koha që, në kuadër të rritjes së mëtejshme nivelit të basketbollit shqiptar, të paktën dy ekipe shqiptare të marrin pjesë në këtë Ligë Ballkanike, – ka thënë izraeliti i BIBL-së. – Siç është vërejtur në rastin e ekipeve kosovare, të tilla si SIGAL Prishtina, Peja apo Bashkimi, pjesëmarrja në këtë veprimtari vetëm se ka ndihmuar për ta rritur nivelin e këtyre skuadrave, që kanë matur forcat me më të mirat e gadishullit.”
Për kreun e Ligës Ballkanike, pjesëmarrja me 7 ekipe përfaqësuese moshash në Kampionatin Evropian është një ogur i mirë edhe për klubet. “Është një nismë për t’u përgëzuar kjo e presidentit Ponari dhe e Federatës Shqiptare të Basketbollit për t’u futur në konkurrim ndërkombëtar me një grup të plotë të ekipeve zinxhir të përfaqësueses”, – ka theksuar Shtriksi.
“Jam besimplotë se kjo siguron një bazë të shëndoshë për të tashmen dhe të ardhmen e basketbollit tuaj, ndërsa përvoja ka treguar se, rrjedhimisht, nga kjo pjesëmarrje kanë përfituar edhe vetë klubet nga vijnë këta sportistë”, – ka shtuar kreu i Ligës Ballkanike, i cila ka përsëritur në prag të zgjedhjeve për president dhe organe drejtuese të FSHB-së, se Avni Ponari është njeriu që i duhet këtij sporti.
“Për kaq vite sa e njoh unë Ponarin, kam parë prej tij një dëshirë të madhe për ta zhvilluar këtë sport dhe, nëse më pyesni mua, ai është i duhuri jo vetëm për basketbollin në Shqipëri, por ne në Kosovë dhe në rajon dhe SIGAL Prishtina dhe Liga Ballkanike janë dëshmi e kësaj që po them”, – ka përfunduar Shei Shtriksi, sipas të cilit synohet që Liga Ballkanike të zgjerohet në 16 apo 18 skuadra.